Me reshjet e shiut që vijojnë prej ditësh, lumi Vjosë ka shkuar në nivelin 9 metra në urën e Mifolit e prurje të shumta ka pasur edhe në Memaliaj, duke arritur në 7.5 metra.
Raportohet se nga reshjet e dendura, janë përmbytur 100 hektarë tokë e 14 banesa.
Përmbytje ka në tokat në Bishan, Fitore, Novoselë dhe Mifol.
Po ashtu, një sipërfaqe prej rreth 200 hektarësh tokë bujqësore është përmbytur në Kashisht, Adë, Kafaraj, Çerven dhe Ferras të Fierit.
Prezencë të lartë të ujit ka në 27 banesa në Ferras-Çerven, shtëpi që ndodhen brenda argjinaturës.
Ndërkaq, prezencë uji konstatohet edhe në Stacionin e Pompimit të Kafaraj, nga ku bëhet furnizimi me ujë i qytetit të Fierit. Kjo për shkak të prurjeve të lumit Vjosë.
Të dhënat nga pikëmatja në urën e Memaliajt, paralajmërojnë për një përkeqësim të situatës në orët në vazhdim.