Aktualitet

Moti i keq, ARRSH raporton për gjendjen e rrugëve

Ndërsa në një pjesë të mirë të vendit bie dëborë, Autoriteti Rrugor Shqiptar informon për gjendjen e akseve. ARRSH-ja rekomandon përdorimin e zinxhirëve në disa rrugë të qarqeve të ndryshme. Në Kukës: Lusen-Domej; në Dibër: Ura e Cerenecit-Steblevë; në Elbasan: në Lunik-Steblevë, që është segmenti fundor i Librazhd-Steblevës. Në Tiranë, me zinxhirë kalohen segmentet e fundit të rrugës Qafë Priskë-Qafë Mollë, ndërsa në akset e Dajtit ka rreshje të pakta bore dhe prani akulli. Në Qarkun Korçë, zinxhirët janë të domosdoshëm në Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, si dhe Liqenas-Doganë-Goricë. Gjithashtu, me zinxhirë kalohen shumë rrugë të rajonit të Gjirokastrës, pavarësisht punës së kontraktorëve për pastrimin nga dëbora e kriposjen e tyre.

Nisur nga parashikimet për përkeqësim të motit,  Autoriteti Rrugor Shqiptar iu bën thirrje drejtuesve të automjeteve të bëjnë kujdes. ARRSH-ja i këshillon që për shkak të ngricave e rreshjeve të dëborës,  të respektojnë sinjalistikën rrugore, të ndjekin udhëzimet e Policisë, si dhe të jenë të pajisur me zinxhirë e me goma dimërore.