Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka kritikuar ashpër gjendjen e Radio Televizionit Shqiptar gjatë diskutimit për projektrezolutën mbi veprimtarinë e institucionit publik mediatik.
Balla tha se, pavarësisht vlerësimeve për kontrollin parlamentar dhe punën e komisioneve, RTSH vijon të mos arrijë standardin e pritshëm dhe mbetet, sipas tij, një “dështim i madh” dhe një “harxhim parash”.
“RTSH vazhdon të jetë një dështim i madh, harxhim parash kot. Pavarësisht vlerësimeve tejet pozitive të Kuvendit, televizioni nuk po ngrihet në nivelin që do të kishim dashur të gjithë pas kaq shumë vitesh përpjekjesh dhe drejtorësh të ndryshuar”, deklaroi Balla.
Ai u shpreh se gjetjet e dy komisioneve dhe kontrolli parlamentar mund të sjellin përmirësime, por shfaqi skepticizëm për ndryshime të mëdha në të ardhmen.
“Kontrolli parlamentar do të na japë vlerësimet e duhura, por si njeri shpresëplotë që jam, nuk kam ndonjë shpresë që RTSH do të bëhet”, tha kreu i grupit socialist.
Deklaratat e Ballës vijnë gjatë shqyrtimit në Kuvend të punës së RTSH-së dhe masave të propozuara për përmirësimin e funksionimit të televizionit publik.