Aktualitet

Moti i keq, evakuim i menjëhershëm i banorëve të Novoselës!

Ministria e Mbrojtjes sot urdhëroi kryerjen e evakuimit të menjëhershëm të banorëve të njësisë administrative Novoselë, në bashkinë Vlorë.

Kjo për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet dhe rrezikut të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Evakuimi do të realizohet përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), prefektin e Qarkut, si dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki.

Sipas legjislacionit në fuqi, Kryetari i Bashkisë është autoriteti përgjegjës për urdhërimin e evakuimit në territorin e bashkisë.

Në çdo rast, komunikimi dhe kërkesat për ndihmë duhet t’u drejtohen autoriteteve publike në terren.

Ministria e Mbrojtjes njofton se prioritet në procesin e evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara, si dhe familjet në zona të izoluara.

Transporti për evakuimin e banorëve do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi (MZSH) e Forcat e Armatosura.

Po ashtu menaxhimi i strehimit dhe asistencës për qytetarët e evakuuar do të realizohet nga bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë e kujdesit shëndetësor dhe strukturat e shërbimeve sociale.

Në kuadër të këtij procesi do të sigurohet regjistrimi i të evakuuarve, në momentin e mbërritjes në ambientet e strehimit të përkohshëm.

Po ashtu do të kryhet administrimi i nevojave bazë, përfshirë ushqimin, veshmbathjen dhe ndihmën mjekësore, si dhe ofrimi i informacionit periodik për statusin e situatës dhe masat në vijim.

Ky njoftim ka karakter urgjent dhe hyn në fuqi menjëherë. Për çdo situatë emergjente, qytetarët të kontaktojnë numrin e emergjencave, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Si pasojë e reshjeve intensive, gjatë orëve të fundit ka pasur rritje të niveleve të lumenjve në disa qarqe, gjë që ka krijuar problematika serioze, kryesisht përmbytje të tokave bujqësore dhe banesave, rrëshqitje dherash, dëmtime infrastrukturore dhe bllokime rrugësh.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata më problematike paraqitet në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Berat dhe Gjirokastër.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe daljes nga shtrati të lumit Vjosë, rruga “Te Bishti i Malit” në bashkinë Selenicë është aktualisht e bllokuar.

Kryetari i bashkisë, Nertil Bellaj iu bëri apel banorëve dhe drejtuesve të automjeteve që të mos përdorin këtë aks, por të ndjekin rrugët alternative për të udhëtuar drejt Selenicës dhe fshatrave të tjerë.

Nisur nga vështirësitë në lëvizje, Policia e Shtetit doli me një apel:

Akset rrugore në zonat malore në qarqet Shkodër, Korçë, Kukës, Gjirokastër, Dibër, Rruga e Arbrit, Rruga e Kombit dhe Llogoraja, kanë prezencë dëbore në rrugë. Në këto akse është i detyrueshëm përdorimi i gomave dimërore dhe i zinxhirëve për të shmangur përfshirjen në ngjarje rrugore.