Probleme dhe vonesa me nisjen dhe mbërritjen e trageteve në Durrës e Vlorë si pasojë e motit të keq. Era e fortë dhe deti 7 ballë ka bërë që dy tragetet e linjës Durrës-Bari të nisen me 10 orë vonesë dhe pritet të mbërrijnë në Bari rreth mesditës. Në të njëjtën situatë edhe 2 tragetet e nisura nga porti italian e Barit, që u ankoruan me disa orë vonese në Durrës. Sot nuk lejohet dalja në det e anijeve të tonazhit të vogël dhe peshkarexhave.
Dëme në qarkun e Kukësit nga reshjet e dendura të shiut. Rrugët nacionale kanë qenë të bllokuara për disa orë si pasojë e gurëve të rënë dhe rrëshqitjes së dherave. Ndërkaq vijon të jetë e pakalueshme rruga e Valbonës. 4 fadroma ndodhen nëpër akset problematike për të mundësuar qarkullimin rrugor.
Moti i keq me rrebeshe shiu do të na shoqërojnë përgjatë gjithë fundjavës. Stuhitë do të dominojnë të gjithë territorin e vendit. Temperaturat kanë pësuar ulje dhe variojnë në vlerat mesatare nga 7 në 24 gradë Celcius.