BMW ka prezantuar një version unik të motoçikletës elektrike në bashkëpunim me markën australiane Deus Ex Machina. Ky model special shndërrohet në një “mobil DJ”, me katër altoparlantë Marshall. Automjeti është dizajnuar për t’u përdorur në ambiente urbane dhe është i përshtatshëm për performanca muzikore në lëvizje.
Edicioni i veçantë nuk do të jetë në shitje, por do të ekspozohet në dyqanet BMW dhe ato të Deus në Francë. Ndërsa modeli standard CE 02 fillon nga 7,599 dollarë dhe ka një motor elektrik me fuqinë deri në 15 kuaj-fuqi. Ai arrin një shpejtësi maksimale prej 95 km/h dhe ka një autonomi prej rreth 95 kilometrash.
Automjetet elektrike me bateri janë në rënie. Prodhuesit e automjeteve gjithashtu kanë njoftuar investime të mëdha në motorët me benzinë dhe hibrid, ndërsa tregu ndryshon. Megjithatë, shumë kompani ende po kërkojnë mënyra për të hequr dorë nga benzina. BMW është njëra prej tyre. Krahas Honda, Hyundai dhe Toyota, BMW ende beson se hidrogjeni mund të jetë një burim i qëndrueshëm i shtytjes së automjeteve gjatë dekadës së ardhshme.
Ndërkaq, shefi i BMW-së ka parashikuar se tarifat e importit të makinave të huaja nga Donald Trump do të ulen këtë verë, pasi prodhuesi gjerman i makinave raportoi se fitimet për tre muajt e parë kishin rënë. Oliver Zipse, drejtori ekzekutiv i BMW-së, tha se priste që tarifat prej 25% të Trump-it mbi importin e makinave të huaja do të hiqeshin deri në korrik. Ai e bëri parashikimin pasi kompania raportoi një rënie të fitimit në 3.1 miliardë euro, ndërsa përgatitej për efektet e luftës tregtare të Trump-it dhe konkurrencës së fortë në Kinë.