Auto & Moto

BMW prezanton konceptin Speedtop në Villa d’Este 2025! Prodhimi i kufizuar me motor V8?

BMW ka bërë një tjetër debutim mahnitës në ngjarjen prestigjioze “Concorso d’Eleganza Villa d’Este” në Liqenin e Komos, Itali. Pas prezantimeve të bujshme në vitet e kaluara me modelet Skytop dhe Concept Touring Coupe, këtë vit vëmendjen e merr koncepti i ri “BMW Speedtop”.

Kompania gjermane ka konfirmuar se ndryshe nga disa modele konceptuale të mëparshme, Speedtop do të shkojë në prodhim, edhe pse në një numër shumë të kufizuar.

BMW do të ndërtojë vetëm 70 njësi të këtij modeli ekskluziv, i cili, sipas markës, do të pajiset me motorin më të fuqishëm V8 që aktualisht ofrohet nga gjiganti bavarez. Megjithëse detajet teknike mbeten ende të paqarta, pritet që modeli të ofrojë performancë të lartë dhe dizajn të jashtëzakonshëm, duke ndjekur trashëgiminë e modeleve të veçanta që BMW ka prezantuar ndër vite.

Çmimi për Speedtop ende nuk është bërë i ditur, por duke marrë parasysh natyrën e tij të kufizuar dhe motorin e fuqishëm, pritet të jetë në kategorinë e automjeteve luksoze me çmim të lartë.