Bota

Çështja e lirimit të fondeve të ngrira iraniane, zbulohet data e bisedimeve të radhës mes SHBA-së dhe Iranit

Uashingtoni e ka lidhur çështjen e lirimit të fondeve të ngrira iraniane me përmbushjen nga Teherani të kushteve të memorandumit të mirëkuptimit, veçanërisht sa i përket sigurisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Pas përfundimit të bisedimeve teknike dyditore mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të zhvilluara në Doha të Katarit, SHBA i ka dërguar një mesazh të qartë Teheranit se nuk do të pranojë asnjë ndryshim në statusin aktual të Ngushticës së Hormuzit.

Sipas burimeve të cituara nga Al Arabiya dhe Al Hadath, Uashingtoni e konsideron qëndrimin e Iranit ndaj kësaj rruge strategjike detare si provën e parë të angazhimit të tij për zbatimin e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar në qershor. Sipas administratës amerikane, çdo përpjekje për të ndryshuar statusin e ngushticës do të përbënte shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes.

Burimet shtojnë se SHBA po monitoron nga afër çdo lëvizje iraniane në zonë dhe se çdo përshkallëzim do të ndikojë drejtpërdrejt në zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve.

Sipas raportimeve raundi i radhës i bisedimeve SHBA-Iran është planifikuar të zhvillohet më 18 korrik.

Sipas të njëjtit burim, Teherani është informuar se çdo përparim në çështjen e fondeve të ngrira do të varet nga respektimi i plotë i kushteve të memorandumit, si edhe nga sjellja e tij në terren, veçanërisht në lidhje me garantimin e sigurisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Nga ana tjetër, komanda e përbashkët e forcave të armatosura iraniane deklaroi se prania e vazhdueshme ushtarake amerikane në hapësirën ajrore mbi Ngushticën e Hormuzit përbën kërcënim për sigurinë rajonale.

Ajo paralajmëroi gjithashtu se çdo ndërhyrje e SHBA-së në rajon do të marrë një “përgjigje të menjëhershme dhe vendimtare”.

Po ashtu, autoritetet ushtarake iraniane deklaruan se të gjitha anijet duhet të ndjekin korridoret detare të përcaktuara nga Teherani për të garantuar kalimin e tyre të sigurt nëpër ngushticë.

Tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit u përshkallëzuan në fund të javës së kaluar, pasi Irani akuzoi SHBA-në për shkelje të armëpushimit dhe sulme ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Nga ana tjetër, edhe Shtetet e Bashkuara akuzuan Iranin për sulme ndaj anijeve që kalonin nëpër këtë rrugë strategjike detare.

Në vijim të tensioneve, SHBA kreu sulme ndaj objektivave ushtarake në jug të Iranit, ndërsa Teherani deklaroi se kishte goditur objekte të lidhura me SHBA-në në Kuvajt dhe Bahrein.

Irani vazhdon të këmbëngulë se gëzon të drejta sovrane mbi menaxhimin e tranzitit në Ngushticën e Hormuzit dhe mbron të drejtën për të vendosur tarifa për shërbimet që ofron, një qëndrim që kundërshtohet nga Shtetet e Bashkuara.

Memorandumi i mirëkuptimit, i nënshkruar në qershor mes Uashingtonit dhe Teheranit, parashikon lirinë e plotë të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, pa kufizime apo tarifa, për një periudhë 60-ditore.

Megjithatë, Teherani e ka interpretuar marrëveshjen si një hap të parë drejt një roli më të madh në administrimin e lundrimit në të ardhmen, duke synuar vendosjen e një sistemi tarifash në bashkëpunim me Sulltanatin e Omanit.

Nga ana e tij, Omani ka bërë të qartë se kundërshton vendosjen e tarifave për transportin detar ndërkombëtar, duke argumentuar se një masë e tillë do të binte ndesh me të drejtën ndërkombëtare detare.