Bota

“Na duhet talenti i tyre”, talebanët nuk lejojnë më largimin e shtetasve afganë!

Talebanët nuk do të lejojnë zgjatjen e operacionit të evakuimit nga Afganistani përtej 31 gushtit. Në një konferencë për shtyp zëdhënësi i lëvizjes militante, Zabihullah Mujahid tha se ka kohë të mjaftueshme për të larguar nga vendi të gjithë shtetasit e huaj para fundit të muajit.

Ndërkaq, ai theksoi se talebanët nuk e mbështesin largimin e shtetasve afganë. Zëdhënësi njoftoi se nuk po lejonin më qytetarë afganë të shkonin në aeroportin e Kabulit, për shkak të situatës kaotike atje. Militantët i kërkojnë turmave të grumbulluara pranë zonës, të shkojnë në shtëpi.

I kërkojmë amerikanëve, mos i inkurajoni afganët të ikin. Ne na duhet talenti i tyre.

Afati për tërheqjen e trupave nga Afganistani është vetëm pak ditë larg dhe evakuuimi i dëshpëruar i njerëzve po përballet me zvarritje të mëdha. Talebanët u takuan me gazetarë të “Sky News” në Doha, para të cilëve lëshuan një paralajmërim për forcat e SHBA-së. Zëdhënësi i grupit militant, Suhail Shaheen tha se:

Është një vijë e kuqe, Presidenti Biden pati thënë se në 31 Gusht do të tërhiqnin të gjitha forcat e tyre ushtarake dhe nëse e zgjasin këtë afat, do të thotë se po zgjasin pushtimin. Dhe po ndodhi kjo, do të ketë reagim. Nëse SHBA-ja apo Britania e Madhe kërkojnë kohë shtesë për evakuimet, përgjigja është ‘jo’. Në të kundërt, do të ketë pasoja.

Mijëra afganë janë në radhë para portave në përpjekje të dëshpëruar për të ikur nga vendi pasi talebanët erdhën në pushtet më 15 gusht. Biden ka deklaruar se SHBA kishte evakuuar gati 28,000 njerëz nga aeroporti javën e kaluar. Ai po përballet me presionin për të zgjatur një afat për evakuimet përtej 31 gushtit.