Shtetet e Bashkuara kanë vijuar për të 13-ën natë radhazi sulmet ndaj Iranit, në kuadër të operacioneve që, sipas Uashingtonit, synojnë të kufizojnë kërcënimin iranian ndaj lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se sulmet e fundit u kryen në orët e para të së premtes, 24 korrik, dhe kishin në shënjestër qendra të komandës ushtarake, depo dronësh, rrjete komunikimi, objekte të mbikëqyrjes bregdetare, si edhe infrastrukturë detare.
Sipas CENTCOM, pavarësisht incidenteve të fundit që Uashingtoni ia atribuon Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, kalimi në Ngushticën e Hormuzit mbetet i hapur dhe anijet tregtare vijojnë lundrimin me mbështetjen e forcave amerikane.
Komanda amerikane bëri të ditur gjithashtu se më shumë se 50 mijë ushtarakë amerikanë janë aktualisht të dislokuar në rajonin e Lindjes së Mesme, në mbështetje të operacioneve dhe sigurisë detare.
Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar, pasi rebelët Houthi të mbështetur nga Irani pretendojnë se kanë sulmuar dy cisterna saudite të naftës në Detin e Kuq, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë vijuar sulmet ndaj objektivave ushtarake iraniane.
Sipas deklaratës së zëdhënësit ushtarak të Houthive, Yahya Saree, grupi ka goditur cisternat Encelia dhe Layla me dronë dhe raketa, duke i akuzuar për shkeljen e asaj që e cilësojnë si “embargo detare” ndaj Arabisë Saudite. Ai tha se operacionet detare do të vazhdojnë.
Agjencia shtetërore saudite e lajmeve raportoi se anija Encelia u godit gjatë lundrimit në Detin e Kuq, duke shkaktuar një zjarr në pjesën e përparme të cisternës. Autoritetet theksuan se i gjithë ekuipazhi është në gjendje të mirë dhe nuk janë raportuar viktima.
Edhe Operacioni Britanik i Tregtisë Detare (UKMTO) njoftoi se një “predhë e panjohur” goditi një cisternë saudite rreth 130 kilometra larg qytetit Al Shuqaiq në Arabinë Saudite, duke shkaktuar zjarr, por pa pasoja për ekuipazhin.
Në të njëjtën kohë, Komanda Qendrore e SHBA-ve (CENTCOM), njoftoi se me urdhër të presidentit Donald Trump, ka ndërmarrë një tjetër valë sulmesh ajrore ndaj objektivave ushtarake iraniane.
Sipas ushtrisë amerikane, objektivat përfshinin baza detare, depo raketash dhe dronësh, sisteme të mbikëqyrjes bregdetare dhe kapacitete të mbrojtjes ajrore, me qëllim dobësimin e aftësisë së Iranit për të kërcënuar lundrimin tregtar në rajon.
Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) deklaroi se ngushtica strategjike e Hormuzit është “plotësisht e mbyllur” pas një shpërthimi në kanalin detar.