Bota

NATO thërret mbledhje urgjente pas shkeljes së hapësirës ajrore – Rusia mohon: Nuk ka prova!

Aleatët e NATO-s kanë ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj Rusisë gjatë një mbledhjeje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit në SHBA, duke denoncuar shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë dhe Polonisë nga avionë rusë, pa asnjë autorizim zyrtar. Incidentet, të ndodhura me disa ditë diferencë, kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të tensioneve në kufijtë lindorë të Aleancës.

Sipas agjencisë Reuters, Britania e Madhe paralajmëroi se veprime të tilla të pamatura nga ana e Moskës mund të çojnë në një përplasje të armatosur.

“Aleanca jonë është mbrojtëse, por duhet ta keni të qartë: jemi të gatshëm të mbrojmë qiellin dhe territorin e NATO-s”, deklaroi Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper.

Qëndrimi i Londrës u përkrah edhe nga figura të tjera kyçe në diplomacinë perëndimore, përfshirë shefen e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, e cila theksoi se përsëritja e incidenteve nuk mund të trajtohet si aksident. Nga ana e saj, Ukraina bëri thirrje për një përgjigje të ashpër dhe të menjëhershme ndaj Rusisë.

“Një kërcënim nuk duhet toleruar as edhe për një minutë – duhet neutralizuar”, u shpreh ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha.

Edhe Shtetet e Bashkuara, përmes të dërguarit të tyre në OKB, Michael Waltz, dhanë një mesazh të prerë: “Dua ta bëj të qartë se SHBA dhe aleatët tanë do të mbrojnë çdo centimetër të territorit të NATO-s”.

Ndërkohë, Moska i hodhi poshtë të gjitha akuzat, duke i quajtur të pabazuara dhe të motivuara politikisht. Zëvendësambasadori rus në OKB, Dmytry Polyanskiy, e përshkroi debatin si një “teatër absurdi”, ndërsa theksoi se Rusia është e gatshme të angazhohet vetëm në bisedime serioze mbi sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të Evropës.