Aktualitet

Ndahet nga jeta kompozitori i famshëm Agim Krajka, ishte 83-vjeç

Muzika shqiptare është në zi pasi ndërroi jetë Agim Krajka, njeriu i këngëve që kanë mbetur në memorien e publikut. Kompozitori i hiteve si “Lemza” e “Djaloshi dhe shiu”, i nderuar si “Artist i Popullit”, “Nderi i Kombit” e “Mjeshtër i Madh”, si dhe fitues i rreth 20 çmimeve në festivale, u shua në moshën 83-vjeçare. Lajmin e dha djali i tij, Ulis Krajka, i cili në një postim në Facebook shkruan: “Shpirti yt u prehtë në paqe babi ynë i dashur!”.

I lindur më 3 maj të vitit 1937 në Kavajë por në një familje me origjinë dibrane e të apasionuar pas muzikës, Agim Krajka që në fëmijëri u angazhua si instrumentist në Shtëpinë e Pionerit me fizarmonikën e tij të pandarë ndërsa në vitin 1963 nisi studimet për teori e kompozicion. Si shkollë të vërtetë veçonte punën 27-vjeçare si kompozitor, dirigjent e drejtor në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, të cilin e krahasonte me një konservator të dytë e përmendte faktin se njihej në të gjithë botën.  Një jetë me këngët e muzikën, përfshirë edhe atë të filmave, artisti u largua në vitin 1990 në drejtim të Amerikës ku jetoi për 17 vjet. Madje ndërsa punonte si muzikant në një restorant të Nju Jorkut u bë pjesë e serialit kult “Sex and the City” si figurant në njërën prej serive, si gjithnjë i shoqëruar nga fizarmonika.

Kompozitori pohonte se në aktivitetin e tij muzikor gjithmonë tabani kombëtar ka qenë ai në të cilën është mbështetur për muzikën që ka krijuar e frymëzuar. Përveçse në muzikën e lehtë ku bëri epokë, Agim Krajka u bë i njohur dhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Kompozitori lë pas një pasuri të vërtetë muzikore.