Trump u pyet gjatë konferencës pas samitit të NATO-s nëse lufta me Iranin përbën një rrugë pa krye nga pikëpamja strategjike, por ai nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes. Në vend të kësaj, ai foli për atë që e quajti “suksesin e jashtëzakonshëm” ndaj Iranit.
Pasi përsëriti deklaratat e tij për luftën, duke pretenduar se operacioni ishte i suksesshëm dhe se materiali bërthamor i Iranit ndodhet i varrosur nën tokë, Trump u shpreh se mund të jetë objektiv për Teheranin.
“Ata kishin udhëheqës. Ata nuk janë më. Pastaj kishin një grup tjetër udhëheqësish. Edhe ata nuk janë më. Tani kanë një grup tjetër udhëheqësish. Edhe ata mund të mos jenë më, kush e di? Dhe e dini çfarë? Mund të mos jem më as unë, sepse jam objektivi i tyre numër një… Jam objektivi i tyre kryesor sepse ata janë fundërrina. Kështu veprojnë dhe kështu kanë vepruar për 47 vjet. Por unë po bëj atë që është e drejtë për vendin,” tha Trump.
Trump thotë se samiti i NATO-s këtë vit ishte “i paprecedentë”, pasi vendet anëtare ranë dakord të rrisin shpenzimet vjetore për mbrojtjen nga 2% në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
“Shumica e vendeve kanë rënë dakord për këtë,” tha Trump. “Kemi disa vende që ende nuk e kanë bërë, por kam ndjesinë se do ta bëjnë, dhe shumë shpejt”, shtoi ai.
Presidenti amerikan tha se gjatë takimeve të sotme në Ankara u diskutua për përparimin e vendeve anëtare drejt arritjes së objektivit prej 5% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes.
“Shumë prej këtyre vendeve janë shumë të pasura. Nuk kemi pse të na vijë keq për to, por kjo nuk do të thotë se janë të mbrojtura siç duhet”, tha Trump.
Ai vlerësoi “dashurinë e jashtëzakonshme në sallë” kur liderët botërorë u mblodhën larg syrit të publikut gjatë samitit.
““Udhëheqësit e NATO-s më thanë: ‘Ne të duam’. Është për të ardhur keq që media nuk mundi të shihte atë që po bënim, sepse aty kishte shumë, shumë njerëz të zgjuar dhe ata kanë shumë mirësi në zemrat e tyre, jo ligësi, por mirësi,” tha Trump.