Politika shqiptare ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut. Kryeministri Edi Rama:
Lamtumirë, At i Shenjtë, mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë.
Po ashtu, Rama mbajti një minutë heshtje në nderim të Papës gjatë një takimi zgjedhor në Kavajë.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj kujton takimet me Papa Françeskut, duke u shprehur se do t’i ruajë thellë në kujtesë.
Shenjtëria e tij, Papa Frençesku, sot u ngjit në qiell, pranë Atit, për të çuar në qiell atë që la trashëgimi në tokë, dhembshurinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj çdo njeriu, çdo besimtari e çdo feje. Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona. I bashkohem lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe!
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta:
Thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Shenjtërisë së Tij, Papa Françesku, i cili do të kujtohet përherë me mirënjohje pёr udhëheqjen vizionare të Kishës Katolike dhe tё njerëzimit nё rrugën e paqes, dashurisë, solidaritetit, humanizmit, bashkëpunimit, dialogut dhe vëllazërimit.
Përherë falenderues për vëmendjen e veçantë, ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer, që Shenjtëria e Tij i dha kombit shqiptar në momentet të vështira, si dhe në kapërcimin e sfidave shpirtërore, sociale e ekonomike. I paharruar do të mbeten për mua takimi dhe bashkëbisedimi me Shenjtërinë e Tij.
Të paharruara do të mbeten mesazhet e vyera dhe frymëzuese të Papa Françeskut për popullin dhe në veçanti për rininë e mrekullueshme gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri: “Shqiponjat nuk e harrojnë folenë, por fluturojnë lart. Ju lutem mbajini ata në Atdheun e tyre dhe Shqipëria të shpëtojë nga dimri demografik. Duhet bërë gjithçka për të shtuar shpresën për rininë tonë, sepse ku ka rini, ka shpresë”.
U përcjell ngushëllimet më të sinqerta Selisë së Shenjtë dhe mbarë besimtarëve katolikë.
Të prehet në paqen e merituar!
Më herët, Vatikani njoftoi:
Në orën 07:35 të mëngjesit të sotëm, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit ndaj Zotit dhe kishës së Tij. Ai na mësoi të jetojmë vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri universale, veçanërisht në favor të më të varfërve e më të margjinalizuarve. Me mirënjohje të pamasë për shembullin e tij si dishepull i vërtetë i Zotit Jezus, ne lutemi për shpirtin e Papa Françeskut në dashurinë e pafundme të mëshirshme të Zotit.
Jorge Mario Bergoglio lindi më 17 dhjetor 1936 në Buenos Aires të Argjentinës, në një familje emigrantësh italianë, me 7 anëtarë. Babai i tij ishte punëtor hekurudhe. Në krye të Kishës Katolike u zgjodh më 13 mars 2013 duke shërbyer si Papa i 266-të dhe pasoi Papa Benediktin e XVI-të
Nga viti 1998 e deri në zgjedhjen si papë, shërbeu si Arqipeshkv i Buenos Airesit dhe u bë kardinal në vitin 2001 nga Papa Gjon Pali II. Përveç spanjishtes, Papa Françesku fliste rrjedhshëm italisht e gjermanisht. Françesku u bë i pari jezuit dhe i pari amerikano-latin që u zgjodhet për të drejtuar Selinë e Shenjtë. Papa i parë jo-europian në 1200 vitet e fundit.
Më 21 shtator 2014 realizoi vizitën e parë në Europë në Tiranë, ku në kryeqytetin tonë mbajti edhe një meshë solemne në Sheshin “Nënë Tereza”, një fjalim e takim në Presidencë dhe shëtitje shenjtëruese në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” mes mijëra pjesmarrësve e besimtarëve.