Showbiz

Ndërron jetë në moshën 24-vjeçare aktorja e njohur koreano-jugore!

Kim Sae-ron, aktorja e njohur koreano-jugore, raportohet të jetë gjetur e vdekur gjatë kësaj fundjave.

Sipas Reuters, 24-vjeçarja u gjet pa shenja jete në shtëpinë e saj në Seul të dielën. Agjencia e lajmeve thotë se një mik i Kim shkoi për ta takuar në shtëpi, dhe e gjeti atë të vdekur e më pas lajmëroi policinë.

Për momentin, nuk dyshohet për ndonjë krim dhe policia ka nisur hetimet për shkaqet e vdekjes së saj, por shumë dyshojnë se mund të ketë dashur t’i japë fund vetë jetës së saj.

Kim Sae-ron ishte një nga aktoret më premtuese të Koresë së Jugut, e cila u bë e njohur me rolin e saj të spikatur në filmin “The Man from Nowhere” në vitin 2010.

Ajo gjithashtu luajti në filmin triler “The Neighbor” në vitin 2012.

Në vitin 2022, karriera e saj u pezullua pas një incidenti me alkool, ku ajo u përfshi në një aksident rrugor.