Një grup xhirimi i Top Channel u sulmua në Luginën e Valbonës ndërsa xhironte dhe grumbullonte materiale për ndërtimin e hidrocentraleve në këtë zonë nga “Gener 2”. Firma nuk ka pezulluar aktivitetin edhe pse gjykata vendosi ndërprerjen e punimeve. Ndërkaq gazetari Endrit Habilaj flet për momentet e agresionit: “Grupi po xhironte pranë lumit, ku evidentuam një masakër mjedisore në këtë zonë, ku lumi është jashtëzakonisht i ndotur për shkak të inerteve që po hidhen këto. Pavarësisht se ka një vendim nga Gjykata e Apelit për pezullimin e punimeve, këtu punimet vazhdojnë intensivisht. Në këtë kohë, 3 persona që ishin të paidentifikuar ka nisur të na shajnë dhe ofendojnë. Më pas, u afruan pranë operatorit duke e sulmuar atë së bashku me personin që mbante dronin, ndërsa i merr edhe telefonin. Ishte një konflikt që ka zgjatur më pas një minutë”. Pas incidentit, grupi i xhirimit të Top Channel bëri kallëzim për një shtetas. Pavarësisht incidentit, grupi i xhirimit të Top Channel do të realizojë dokumentarin mbi ndërtimin e hidrocentraleve në Valbonë.