Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka uroi Kombëtaren Kuqezi, në prag të startit të kualifikueseve të Botërorit 2026, duke theksuar se ëndrra e të gjithë shqiptarëve është një kualifikim historik në finalet e Kupës së Botës. Duka shkruan:
Nisim sot një tjetër sfidë, me besimin se mund të realizojmë një ëndërr! Përballë kemi kundërshtarë të vështirë, duke nisur nga Anglia me të cilën ndeshemi sot në “Wembley”. Gjithsesi kjo nuk duhet të na zmbrapsë, por të na motivojë, të na bëjë bashkë, të përpiqemi dhe të vazhdojmë të jemi frymëzues për shqiptarët kudo që jetojnë.
Kombëtarja jonë ka gjithashtu lojtarë të mirë, Kombëtarja jonë ka cilësi, Kombëtarja jonë ka zemër, shpirt dhe do të japë maksimumin në fushën e lojës.
Në fund mund të bëjmë atë që nuk e kemi bërë asnjëherë, të shkojmë në një Kampionat Botëror. Me besim, këmbëngulje, duke qenë një trup i vetëm, lojtarë, staf e tifozë, gjithçka është e mundur!
Shqipëria do të nisë sonte rrugëtimin e saj drejt Botërorit 2026. Kuqezinjtë i pret një sfidë e vështirë në debutimin e tyre në Grupin K të kualifikueseve të Kupës së Botës, pasi do të përballen në “Uembli” me Anglinë, skuadrën favorite për të zënë vendin e parë në grup. Pavarësisht emrit dhe cilësisë së kundërshtarit, në kampin kuqezi janë optimistë se mund të arrijnë një rezultat pozitiv në këtë transfertë.
Sfida ndaj Anglisë e vështirë, por në futboll mund të ndodhë gjithçka, deklaruan trajneri Silvinjo dhe kapiteni Gjimshiti në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes.
Sikur të mos mjaftonte kundërshtari që kemi përballë, kombëtarja shqiptare ka probleme edhe me mungesat në prag të kësaj ndeshjeje. Hysaj, Mitaj, Balliu dhe Daku nuk janë grumbulluar për shkak dëmtimesh, ndërsa Kumbulla dhe Ismajli nuk ia kanë dalë që të jenë në fushë që nga minuta e parë. Ajeti-Gjimshiti pritet të jetë dyshja në qendër të mbrojtjes, ndërsa në majë të sulmit Uzuni dhe Manaj rivalizojnë për një vend titullari.
Ndeshja Angli-Shqipëri, luhet në orën 20:45 dhe do të transmetohet në Digitalb ndërsa do të komentohet live në emisionin Paso’ në Top Albania Radio, prej orës 20:00.