Aktualitet

Ndihmonte emigrantë të kalonin ilegalisht kufirin, arrestohet shtetasi azer në Shkodër!

Ndihmonte emigrantë nga vendet e treta të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi kundrejt pagesës, një 27 vjeçar nga Azerbajxhani u arrestua nga policia në Shkodër. Ai u kap në vendin e quajtur “Ura e Hotit”, në fshatin Kastrat, duke shoqëruar katër shtetas nga Afganistani. Gjatë kontrollit fizik iu gjet një armë e ftohtë.

Njoftimi policor: 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Borders”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi azerbajxhanas:

N. M., 27 vjeç, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, që të kalonin ilegalisht kufirin tokësor me Malin e Zi, kundrejt pagesës.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj vepimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.