Aktualitet

U vra në Maliq, Enea Mekolli “Dëshmor i Atdheut”!

Kryeministri Edi Rama reagoi për ngjarjen në Maliq, duke njoftuar se efektivi i rënë në krye të detyrës do të shpallet “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa i shprehu ngushëllime familjes dhe i uroi shërim të shpejtë policit të plagosur.

Kreu i qeverisë theksoi se autori duhet të marrë ndëshkimin maksimal sipas ligjit, ndërsa vlerësoi punën dhe sakrificën e Policisë së Shtetit në luftën kundër kriminalitetit.

Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie dhe është plagosur një i dytë. Ndërkohë, pasi hapi zjarr ndaj tyre, u plagos dhe u kap edhe krimineli.

Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër. Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj.