Dasma madhështore e Dua Lipa dhe bashkëshortit të saj Callum Turner po shndërrohet në një nga eventet më të përfolura të vitit, ndërsa detaje të reja nga organizimi në Sicili po dalin në dritë.
Sipas raportimeve të mediave britanike, dy sheshe kryesore në qendër të Palermo do të mbyllen për tre ditë radhazi për shkak të festimeve, ndërsa qindra banorëve u është kërkuar të nënshkruajnë marrëveshje konfidencialiteti (NDA) për të mos publikuar foto apo video nga ceremonia në rrjetet sociale.
Burime pranë organizimit bëjnë të ditur se dokumentet janë shpërndarë nga ekipi i organizatores së njohur të eventeve, Alessandra Grillo, ndërsa masat e sigurisë janë forcuar ndjeshëm në zonat përreth Piazza Sant’Anna dhe Piazza Croce dei Vespri.
Autoritetet lokale kanë njoftuar mbylljen e disa rrugëve dhe hapësirave publike nga e enjtja deri të shtunën, pa përmendur zyrtarisht emrat e çiftit. Në komunikimet publike flitet vetëm për një “organizim në shesh”, megjithëse kryetari i bashkisë së Bagherias ka konfirmuar se masat lidhen me eventin e shumëpërfolur.
Sipas burimeve, siguria private do të bashkëpunojë me policinë italiane për të monitoruar festimet, të cilat pritet të zgjasin disa ditë.
Programi i festimeve parashikon që të premten të ftuarit të mblidhen në Palazzo Gangi, një nga ndërtesat më ikonike të Sicilisë, e njohur edhe për paraqitjen e saj në filmin “The Leopard”. Raportimet sugjerojnë gjithashtu se legjenda e muzikës Elton John mund të performojë gjatë festimeve.
Ndërkohë, çifti dhe të ftuarit e tyre pritet të qëndrojnë në Rocco Forte Villa Igiea, një nga hotelet më luksoze të rajonit.
Kulmi i festimeve mendohet se do të zhvillohet në Villa Valguarnera, një rezidencë historike baroke pranë Palermos, e njohur edhe për paraqitjen e saj në serialin “The White Lotus”.
Ndërsa disa banorë janë entuziastë që ylli me origjinë shqiptare ka zgjedhur Siçilinë për të festuar martesën, të tjerë kanë ngritur pikëpyetje për ndikimin e kufizimeve dhe kostot e sigurisë në komunitetin lokal.
Megjithatë, një gjë duket e sigurt, festa e Dua Lipës dhe Callum Turner pritet të jetë një nga dasmat më luksoze dhe më të komentuara të vitit 2026.