Dua Lipa dhe bashkëshorti i saj, Callum Turner, janë fotografuar duke shijuar momentet e para si çift i martuar, vetëm pak ditë pas ceremonisë së tyre private në Londër.
Këngëtarja shqiptare me famë botërore dhe aktori britanik u kurorëzuan në një ceremoni intime në Old Marylebone, në praninë e familjarëve dhe miqve më të afërt.
Të martën, të sapomartuarit u panë gjatë një shëtitjeje në Londër së bashku me qenin e tyre, duke reflektuar lumturinë e ditëve të para pas martesës.
Sipas fotografive të publikuara, Callum, 36 vjeç, e mbante vazhdimisht pranë bashkëshorten e tij, ndërsa çifti ecte dorë për dore dhe shkëmbente buzëqeshje gjatë gjithë kohës.
Për daljen e tyre të relaksuar, Dua, 30 vjeçe, kishte zgjedhur një stil të thjeshtë, me një pallto gri të tipit trench coat, tuta sportive dhe çizme Ugg. Ajo u shfaq pa makijazh, me syze dielli dhe flokët e mbledhur bisht.
Nga ana tjetër, Callum kishte veshur një këmishë të bardhë mbi një bluzë po ashtu të bardhë, të kombinuar me xhinse të gjera, çizme hiking dhe një çantë krahu.
Gjatë shëtitjes, çifti u ndal edhe për të përshëndetur një mik, me të cilin zhvilluan një bisedë të shkurtër përpara se të largoheshin me makinë.
Pamjet vijnë vetëm pak ditë pasi Dua dhe Callum thanë “po” në ceremoninë e tyre civile, ku këngëtarja tërhoqi vëmendjen me veshjen e bardhë elegante, të kompletuar me kapelë dhe doreza, ndërsa aktori u paraqit me një kostum blu klasik.
Megjithatë, festimet nuk përfundojnë këtu. Sipas raportimeve, çifti po përgatitet për një ceremoni shumë më madhështore në Sicili të Italisë, ku pritet të festojnë martesën me një numër më të madh të ftuarish gjatë ditëve në vijim.