Aktualitet

Arrestohet etiopiani, kryente trafik klandestinësh në pikëkalimin e Qafë Botës!

Një shtetas etiopian me banim në Britaninë e Madhe u arrestua nga Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me shërbimet e FRONTEX-it, pasi u kap në flagrancë duke ndihmuar në mënyrë të paligjshme një grup emigrantësh për të kaluar kufirin shtetëror drejt Greqisë. Ngjarja ndodhi sot në orët e para të ditës, në zonën kufitare të njohur si Katajeto, pranë Piramidës 74.

Shërbimet kufitare identifikuan dhe ndaluan shtatë shtetas etiopianë, të cilët po përpiqeshin të kalonin kufirin e gjelbër në mënyrë të paligjshme. Grupin e shoqëronte Finan Kibrom, 31 vjeç, shtetas etiopian me banim në Mbretërinë e Bashkuar.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se Kibrom kishte organizuar udhëtimin e tyre me qëllim përfitimi. Sipas burimeve zyrtare, ky ishte rasti i dytë që ai ndërmerrte një veprim të tillë.

Skema që përdorte ishte e mirorganizuar. Ai vinte nga Greqia në Shqipëri përmes pikës kufitare të Kakavijës, kontaktonte paraprakisht grupet e emigrantëve dhe i shoqëronte më pas drejt kufirit grek, ku një taksi e porositur i priste për transport të mëtejshëm brenda territorit grek.

31-vjeçari Finan Kibrom është arrestuar dhe ndaj tij rëndon akuza për “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”, vepër penale e parashikuar nga neni 298 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Ndërkohë, pjesëtarët e tjerë të grupit janë shoqëruar dhe pritet të ndiqen procedurat për kthimin e tyre në vendin e origjinës.