Aktualitet

Ndotja në vend, ekspertët: Sjell plakjen e parakohshme!

Personat që jetojnë në zonat me ajër të ndotur pësojnë zvogëlim të vëllimit të trurit dhe plakje të parakohshme. Por pasojat sipas mjekëve janë edhe më të rënda tek fëmijët. Ekpertët thonë gjithashtu se ndotja në vendin tonë vazhdon të jetë mbi normën mesatare europiane dhe kjo ndikon negativisht në sistemin nervor të njeriut. Ndërkaq Enver Roshi, specialist i Institutit të Shëndetit Publik, shprehet se: “Dioksidet e azotit janë elementi kryesor i formimit të smogut, që dëmton rëndë sistemin aspirator dhe nervor. Në zonat e ndotura, vëllimi i trurit të fëmijëve është më i vogël sesa i fëmijëve që jetojnë në zona me ajër të pastër”. Niveli i lartë i ndotjes së ajrit lidhet me një sërë sëmundjesh degjenerative të trurit, të cilat jo vetëm janë shtuar në vendin tonë, por kanë prekur mosha të reja, siç është skleroza multiple dhe parkinsoni. Ndikimi i ndotjes së ajrit në tru dhe në mushkëri ka rritur vdekshmërinë tek shqiptarët. Sipas statistikave, çdo vit vdesin 38 persona për 100 mijë banorë.