Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS është prezantuar sot ndryshimi ligjor sa i përket imunitetit të zyrtarë ve të lartë shtetërorë.
Kreu i PD Sali Berisha ka paralajmëruar se kryeministri Rama, i cili po i vërteton sipas tij shqiptarëve veprat penale të kryera prej tij, do të paguajë çmimin më të rëndë.
“Ky është akti më i rëndë dhe kriminal e poshtërues ndaj qytetarëve shqiptarë, që Rama guxon të marrë. Me këtë akt të pashembullt, Rama u thotë shqiptarëve se personalisht ai dhe organizata e tij kriminale qendrojnë mbi ligjin, mbi çdo gjë tjetër në këtë vend dhe nuk mund të hetohen. Do ju vjedhin e ju kanë vjedhur. Ky është morali dhe e vërteta e këtij amendamenti që ata paraqesin sot. Kjo është goditja më e rëndë që i bëjnë aspiratave të shqiptarëve, shtetit ligjor dhe mbrojtja më e rëndë e sistemit të korrupsionit që kanë vendosur. Pas anulimit me ligj të këtij funksioni të Prokurorisë Speciale, prokurorëve nuk i mbetet gjë tjetër veç imuniteti, që tashmë i mbetet në dorë Ramës. E paralajmëroj Ramën se do të paguajë çmimin më të shtrenjtë dhe po u vërteton shqiptarëve dhe botës se çfarë hajduti është. Data 20 po vjen”, tha ai.
Kreu i PD Sali Berisha është paraqitur në SPAK në zbatim të masës së sigurisë Detyrim Paraqitje. Në deklaratën për media, Berisha u shpreh se ndaj tij është urdhëruar një hetim 30-vjeçar.
“Këtu keni një listë kërkesash të firmosura nga Altin Troplini për të gjitha, 16 institucione për të hetuar Berishën dhe mbesat e tij dhe 4 vite para lindjes së tyre. Pa asnjë lidhje, vetëm në kërkim të zbatimit të urdhrit të Ramës. Brenda një dite kanë dërguar hetim në 16 kërkesa, hetim 30 vjeçar. Kjo nuk ka lidhje me dosjen që ta theksojmë”, tha ai.