Duke theksuar se rasti i Belinda Ballukut ka rrugën e tij, kryeministri Rama tha se ministrja ia ka dorëzuar tri herë dorëheqjen. Rastet kanë qenë akuza, pezullimi i parë dhe kur Kushtetuesja nuk foli, por s’e ka pranuar kryeministri. Rama thotë se nuk do ta pranojë dorëheqjen deri kur të plotësohen kushtet.
“Belinda Balluku ma ka dorëzuar tri herë dorëheqjen. I kam atje në dosje, tri herë. Një herë kur iu ngrit akuza, hera e dytë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë pasi Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim dhe tri herë e kam refuzuar unë dorëheqjen. Dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv, nuk ka! I jam falënderues për faktin që nuk ka persistuar, por ka vazhduar ta marrë gjithë atë baltë mbi fytyrë sepse unë nuk e pranoj deri kur të plotësohen kushtet dhe se kur plotësohen kushtet nuk e përcakton dot as prokurori, as gjykatësi i seancës paraprake, as media dhe as gjyqi popullor. Nëse do të hyni në klëtë logjikë, do t’i hapni rrugë një historie që do të dëmtonte seriozisht kapacitetin e pushtetit ekzekutiv për të qeverisur”, tha Rama.
Ndryshimet ligjore për të frenuar gjykatat të pezullojnë nga detyra ministrat dhe psote të tjera kushtetuese, kryeministri Edi Rama tha se nuk ka lidhje me rastin Balluku. Për këtë rast, kryeministri u shpreh se “do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në kuvend ndërhyrjen në territorin kushtues të pushtetit ekzekutiv.” Rama tha se askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse.
“Fryma e Kushtetutës dhe orientimet themelore të Kushtetutës nuk mjaftojnë, praktikat e të gjitha vendeve që ne u ngjajmë nuk mjaftojnë, atëherë duhet bërë neni me të gjitha përcaktimet, funksion për funksion, në mënyrë që të mos ketë më mundësi interpretohet. Kjo është arsyeja përse ne e bëjmë këtë ndryshim. Kush e lidh me rastin konkret bën gabim, rasti konkret ka rrugën e vetë, nuk ka lidhje me pezullimin. Por pezullimi është i papranueshëm, dhe për këtë arsye ne do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në kuvend ndërhyrje në territorin kushtues të pushtetit ekzekutiv. Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse. Ashtu sikundër askush s’duhet ta mendojë se kjo masë, apo të tjera masa në vijim, kanë të bëjnë me lëkundjen tonë për të mbështetur pa rezervë pavarësinë e drejtësisë”, tha Rama.