Aktualitet Politikë

“Në 11 prill do hapim fushatën”, Berisha të tijve: Dilni në terren! Pala tjetër merret me mashtrime!

Sali Berisha ka mbledhur në selinë blu drejtuesit politikë në qarqe dhe kryetarët e degëve të PD-së.

Gjatë fjalës së tij ai tha: Avantazhi  jonë, një projekt i  qartë për  shqiptarët.

Po ashtu një mesazh e kishte edhe për demokratë.

 “Dilni në terren, programi i PD ka gjetur mirëkuptim dhe vlerësim nga qytetarët. Pala tjetër merret me mashtrime nga mëngjesi deri në darkë, pranoi se programi ynë është i realizueshëm. Ta keni të qartë, fitorja buron nga ndërgjegjësimi i qytetarëve. Detyrën e parë  keni organizimet e takimeve dhe sigurimin e votës”, tha ai.

Berisha njoftoi se më 11 prill do të hapin fushatën elektorale.

“Koha juaj e punës për programin matet sa njerëz takoni. Programi të zërë 80% të kohës suaj, vetëm ashtu përmbushet misioni”, tha ai.

Kreu i opozitës, Sali Berisha, prezantoi detaje të reja të programit të tij qeverisës, nëse fiton zgjedhjet e 11 majit. Në një takim me banorët e degës numër 9 në Tiranë, Berisha tha se pjesë e programit të tij është edhe ulja e çmimit të energjisë dhe karburanteve.

 “Shqipëria energjinë pa asnjë lloj humbjeje mund t’ja shesë qytetarëve me 7 lekë. Ne do e ulim në 7 lekë kilovatin. Shqiptarët do blejnë naftën me ato çmime, plus minus 10% që e blejnë maqedonasit, kosovarët, malazezët, dhe absolutisht asnjë qindarkë më shumë”, theksoi kreu i PD.

Sali Berisha tha se programi i Partisë Demokratike parashikon gjithashtu bonuese për familjet me fëmijë.

 “Familjet me fëmije, do kenë bonuse për fëmijët. Për fëmijë e parë 70 euro, për fëmijën e dytë 60 euro, fëmija i tretë do rritet tërësisht nga shteti, nga lindja gjer në moshën 23 vjeçare”, tha Berisha.

Një tjetër çështje, ku u ndal kreu i opozitës, ishte ajo e legalizimeve, për të cilën premtoi kompensim me çmimin e tregut për pronarët.

“Do legalizohet çdo shtëpi para çdo akti urbanizimi. Pronarët, absolutisht do marrin kompensim me çmim tregu. I garantoj pronarët se marrëdhënia me ta do të jetë një marrëdhënie e ndershme dhe brenda mandatit 2025-2029, do t’i japim përgjigje përfundimtare problemeve dhe detyrimeve që rrjedhin nga pronësia dhe detyrimeve që rrjedhin nga persekutimi politik i shqiptarëve”, tha ai.

Ndërsa akuzoi kundërshtarin e tij politik, Edi Rama, se po mashtron shqiptarët, Berisha tha se programi i tij është hartuar me ekspertizën më të mirë të SHBA dhe Gjermanisë.