Tech Travel

Në një ishull artificial, Kina po ndërton aeroportin më të madh në botë!

Kina po ndërton aeroportin më të madh në botë mbi një ishull artificial, Dalian Jinzhou Bay International Airport, i cili do të shtrihet në një sipërfaqe prej 20 kilometrash katrorë. Ky projekt ambicioz synon të përmirësojë kapacitetin ajror të vendit dhe të nxisë zhvillimin ekonomik në rajonin e Liaoningut. Aeroporti do të jetë i pari i këtij lloji në bregdetin e Kinës kontinentale dhe pritet të ketë një kapacitet të lartë për të përballuar rritjen e trafikut ajror në vend.

Ndërtimi i tij përfshin krijimin e një ishulli artificial, duke përdorur teknologji të avancuara për të siguruar qëndrueshmërinë dhe sigurinë e strukturës. Ky projekt është pjesë e një plani më të gjerë të Kinës për të zgjeruar infrastrukturën e saj ajrore, duke ndërtuar qindra aeroporte të reja për të përballuar rritjen e numrit të pasagjerëve. Përveç Dalian Jinzhou Bay International Airport, Kina ka ndërtuar edhe aeroporte të tjera të mëdha, si Beijing Daxing International Airport, i cili u hap në shtator 2019 dhe konsiderohet një nga qendrat më të mëdha ajrore në botë.

Kryeministri i Marokut ndërkaq Aziz Akhannouch ka bërë me dije se vendi i tij do të rrisë kapacitetin e aeroporteve deri në vitin 2030. Sipas qeverisë, synohet që kapaciteti të jetë rreth 80 milionë pasagjerë, ku aktualisht mirëpret maksimalisht rreth 38 milionë pasagjerë. Ky plan është pjesë e përgatitjeve për të mirëpritur eventin e rëndësishëm të futbollit, Kupën e Botës 2030, së bashku me Spanjën dhe Portugalinë, si dhe për të promovuar turizmin.

Rikujtojmë se Arabia Saudite ka nisur ndërtimin e atij që do të jetë aeroporti më i madh në botë. Aeroporti Ndërkombëtar Mbreti Salman, i vendosur në kryeqytetin Riad, do të jetë një simbol i transformimit ambicioz të vendit në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në botë. Aeroporti do të ketë gjashtë pista gjigante dhe do të ketë një kapacitet vjetor për 120 milionë pasagjerë, duke e bërë atë më të madhin në botë kur të jetë plotësisht funksional në vitin 2030. Sipërfaqja e aeroportit do të mbulojë më shumë se 57 kilometra katrorë, nga të cilat 12 do të ndahen për zona tregtare, restorante, kafene dhe zona pushimi.