Rusia ka nisur një valë të re të sulmeve me dronë e raketa ndaj Kievit dhe të tjera qyteteve ukrainase. Moska po rrit sulmet teksa përgatitet për Ditën e Fitores, që shënon mposhtjen e Gjermanisë Naziste nga sovjetikët më 1945-ën. Të paktën 16 sulme me raketa kanë goditur qytetet në rajonet e Harkivit, Hersonit, Mikolajivit e Odesës. 61 sulme ajrore dhe me 52 breshëri raketash goditën pozicionet ukrainase në zonat e banuara.
Mbrojtja ajrore ukrainase shkatërroi 35 dronë të prodhimit iranian, Shahed, që Rusia ka lëshuar drejt territorit të Ukrainës. Të paktën pesë persona u plagosën në Kiev, pas dëmtimeve në një depo karburantesh, si dhe sulmeve ndaj makinave, ndërtesave e infrastrukturës. Një depo ushqimore u përfshi nga flakët në qytetin Odesa, në Detin e Zi.
Sulmet e reja pasojnë përgatitjet e Moskës për të shënuar nesër Ditën e Fitores, përmes një parade. Kjo ngjarje është kyçe për presidentin rus, Vladimir Putin, i cili ka ngjallur shpirtin e triumfit sovjetik mbi Gjermaninë Naziste, duke akuzuar Ukrainën se është përfshirë në një lloj të ri të fashizmit.
Ukraina dhe aleatët i hedhin poshtë këto akuza si të pabaza e që janë përdorur si pretekst nga Rusia për të nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Po ashtu, ka intensifikuar sulmet ndaj Bahmutit, duke shpresuar se mund të marrë kontrollin e këtij qyteti deri nesër.
Sirenat paralajmëruese për sulme ajrore janë dëgjuar edhe në rajonet jugore të Hersonit e Zaporizhjës, ku raportohet për shpërthime. Vladimir Rogov, një zyrtar në Zaporizhja i emëruar nga Moska, tha se forcat ruse kanë goditur një depo dhe pozicionet e ushtrisë ukrainase në qytetin e vogël të Orihivit.
Po ashtu, forcat ruse kanë hedhur granata ndaj tetë pozicioneve në Sumi, në verilindje të Ukrainës. Sulmet ndaj objektivave ruse janë intensifikuar dy javët e fundit, sidomos në Krimenë e aneksuar në mënyrë të paligjshme nga Moska. Ukraina ende nuk ka konfirmuar se ka rol në këto sulme, por bëri të ditur se ka shkatërruar infrastrukturën e armikut, ndërsa forcat e saj po përgatiten për një kundërofensivë.