Tensionet gjatë protestës së qytetarëve në Tiranë kanë arritur kulmin pas përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë para Kuvendit.
Pas arrestimeve të kryera nga policia, turma është zhvendosur menjëherë drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku po kërkon lirimin e të gjithë personave të shoqëruar gjatë protestës.
Protestuesit janë grumbulluar përpara godinës së Policisë, duke brohoritur në mbështetje të të arrestuarve dhe duke kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm.
Mes personave të ndaluar është edhe aktivisti Dritan Goxhaj, i cili u arrestua më herët gjatë përplasjeve të regjistruara pranë Kuvendit. Së bashku me të janë shoqëruar edhe protestues të tjerë.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa protestuesit kanë paralajmëruar se nuk do të largohen nga ambientet e Drejtorisë së Policisë deri në lirimin e të arrestuarve.