Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Doli GTA 6. Ti mezi pret ta luash, e hap lojën, muzika nis, logoja shfaqet… dhe papritur gjithçka ngec. Kontrollon një herë settings, dy herë drivers, dhe pastaj sheh specifikat: 8GB RAM. Aaa po s’ta ka fajin loja, laptopi thjesht s’po ia del më.
Ky është problemi që po vjen. Ndërsa softuerët, lojërat dhe AI bëhen gjithnjë e më të rëndë, RAM-i po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë dhe më i rrallë. Mungesat e memories RAM po arrijnë nivele alarmante dhe prodhuesit e laptopëve po detyrohen të ndryshojnë. Jo duke na dhënë më shumë fuqi, por duke ulur pritshmëritë.
Rezultati? Laptopët e kategorisë mid-range, ato që blejnë shumica e njerëzve, po shtyhen gjithnjë e më shumë drejt 8GB RAM si konfigurim standard. Jo sepse është mjaftueshëm, por sepse garanton furnizim të qëndrueshëm dhe kosto më të ulëta për prodhuesit. Ndërkohë, konfigurimet me RAM më të lartë po kthehen në luks të vërtetë.
Sot, një upgrade nga 16GB në 32GB RAM mund të kushtojë qindra dollarë. Po, RAM-i po sillet si aset premium, në nivele që dikur i kritikonim vetëm tek Apple. Ironikisht, kjo po ndodh pikërisht në një kohë kur standardet moderne janë 16GB si minimum absolut.
Zgjidhja afatshkurtër nuk është e bukur, por është e qartë: nëse po blen laptop, investo në RAM që tani. Zhvilluesit do të detyrohen të optimizojnë aplikacionet, por përdoruesit do e ndiejnë presionin çdo ditë.
Dhe po ta shohësh ftohtë: më mirë të investosh në RAM sesa në stocks. Aksionet luhaten, por GTA 6… nuk të fal.