Në “Shtëpinë e Futbollit”, nesër ora 10:00 mban punimet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Futbollit, FSHF, për të zgjedhur Presidentin e FSHF-së për një mandat 4-vjeçar, si edhe 10 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të Federatës. Për postin e kreut të FSHF-së është regjistruar kandidatura e Armand Dukës, i propozuar nga 33 anëtarë të federatës.
Sipas asaj që ka konstatuar Komisioni i Verifikimit, për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së janë propozuar 13 emra kandidatësh: Abdyl Kuriu, Anila Basha, Arben Dervishaj, Armando Cungu, Blendi Fevziu, Edmond Hasanbelli, Envi Hicka, Erind Resuli, Ervin Canollari, Geri Çipi, Gjergji Petro, Lutfi Nuriu e Pano Xhixho.
Po ashtu, në Asamblenë e nesërme do të shqyrtohet raporti i veprimtarisë së FSHF-së mes dy asambleve. Gjithashtu do të prezantohen bilanci financiar e pasqyrat financiare, raporti i auditorëve të pavarur e të jashtëm, krahas miratimit të pasqyrave financiare të audituara për vitin 2025, aprovimit të Buxhetit për vitet 2026 e 2027, si edhe emërimit të audituesve të pavarur e të jashtëm, me propozim të Komitetit Ekzekutiv.
Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore e FSHF-së do të transmetohet live në FSHF Tv e po ashtu, në kanalin zyrtar të FSHF-së në Youtube, duke nisur nga ora 10:00.