Nesër me 8 shtator nis viti i ri shkollor, ku 345 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministria e Arsimit njoftoi se në total janë 31 mijë mësues ndërsa këtë vit është përforcuar mbështetja për nxënësit me aftësi të kufizuara. Konkretisht janë 2,260 mësues ndihmës, një rritje prej 150 më shumë se në vitin 2024.
Transporti falas do të ofrohet për 38 mijë nxënës dhe 12 mijë mësues. Po ashtu, janë të disponoheshme 3,500 bursa për nxënësit që kanë nevojë për mbështetje financiare.
Këtë vit shkollor janë 30 shkolla të reja dhe të rehabilituara dhe 340 laboratorë SMART. Ndërkohë, rreth 236 mijë nxënës janë pajisur me libra falas.
Në prag të nisjes së vitit shkollor, Ministria e Arsimit nxori një udhëzim me masa konkrete për përdorimin e celularëve në shkolla. Synimi është që celulari të mos merret fare në shkollë, por në rastet e argumentuara nga prindërit, nxënësit duhet ta mbyllin të fikur në një kuti në klasë, deri në përfundim të procesit mësimor.
“Telefonat nuk duhet të merren në shkollë. Në rast të nevojës të argumentuar nga prindi, në drejtorinë e shkollës, që fëmijën ta pajisë me telefon, atëherë telefoni fiket, nxënësi e dorëzon sipas rregullit të shkollës në sirtarin apo kutinë e përcaktuar në klasë, nga momenti i nisjes së mësimit deri në përfundim të orarit mësimor.”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Në fakt, kjo ka disa vite që praktikohet në shkollat 9-vjeçare në vend. Nxënësit dalin nga shtëpitë me telefon celular, dhe gjatë zhvillimit të orës mësimore e dorëzojnë në klasë në kuti.
Të hënën, vetëm 60 oficerë sigurie do të jenë gati për të ruajtur rendin dhe qetësinë në shkolla, pavarësisht se numërohen rreth 1400 institucione të arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm. Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se gjithsesi në tetor, do të jenë në punë 400 oficerë sigurie, pasi t’i nënshtrohen trajnimit.