Këngëtarja Shkurte Fejza ka dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët do të protestojnë ditën e nesërme, që provimet t’i kryejnë në gjuhën shqipe.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shkurte Fejza ka theksuar se gjuha shqipe është identitet dhe e drejtë themelore e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas këngëtares, zëri i studentëve për gjuhën shqipe është një zë për dinjitetin, identitetin kombëtar dhe të drejtat njerëzore.
Ajo nënvizon gjithashtu se gjuha amtare nuk është privilegj, teksa u bën thirrje të rinjve shqiptarë të qëndrojnë të bashkuar, të qetë dhe dinjitozë në protestat dhe kërkesat e tyre.
“Të dashur studente shqiptarë ne Maqedonine e Veriut
Zëri juaj për gjuhën shqipe është zë për dinjitet, identitet dhe të drejta njerezore.
Gjuha ametare nuk është privilegj, është e drejtë themelore.
Ju mbështesē me zemër në kërkesën tuaj, që gjuha shqipe të trajtohet me barazi.
Rinia gjithmonë ka qenë forca që ka lëviz historinë përpara,prandaj qëndroni të bashkuar, të qetë, dinjitoz në protestën tuaj. Ai që punon për vendin e vet është i bekuar nga Zoti”, ka shkruar këngëtarja Shkurte Fejza.
Mijëra studentë shqiptarë do të protestojnë të hënën e 18 majit, në orën 16:30, para Urës së Gurit në Shkup, duke kërkuar me ngulm që të mbajnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Protesta organizohet me moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, ndërsa mesazhi kryesor është mbrojtja e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale.
“Të nderuar sportistë, artistë dhe figura publike, ju që me sukseset, talentin dhe punën tuaj keni bërë krenar çdo shqiptar, sot studentët kanë nevojë për zërin dhe mbështetjen tuaj. Kjo protestë nuk është kundër askujt. Është protestë për mbrojtjen e gjuhës shqipe, dinjitetit dhe të drejtave tona si qytetarë të barabartë. Të hënën, më 18 Maj, në ora 16:30, duke filluar nga Ura e Gurit në Shkup, hajdeni të protestojmë bashkë. Në krah të studentëve, në krah të shqiptarëve!”, thuhet në thirrjen e studentëve.
Protesta, e dyta e llojit të vet, vjen pas një periudhe të gjatë pakënaqësish dhe iniciativash studentore për respektimin e të drejtave gjuhësore dhe mundësimin e provimit në gjuhën shqipe. Më 6 prill 2026 në Shkup, mijëra studentë dhe qytetarë shqiptarë dolën në zemër të Shkupit dhe kërkuan respektimin e të drejtësisë tyre, çka nxiti kryeministrin Hristijan Mickoski të deklaronte nxitimthi se qeveria e tij po punonte për një zgjidhje dhe shumë shpejt do të kishte një propozim konkret.