Rajoni

Gjyqi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, Dhomat e Specializuara caktojnë datën se kur do të jepet vendimi!

Pas më shumë se tre vitesh proces gjyqësor në Hagë, Dhomat e Specializuara kanë caktuar datën kur do të shpallet vendimi përfundimtar në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktgjykimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin do të shpallet më 16 shtator të këtij viti.

“Trupi Gjykues ka caktuar datën për shqiptimin e aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për më 16 shtator, në orën 10:00”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Ndërkohë që pritej që aktgjykimi të shpallej më 20 korrik të këtij viti. Fjala përfundimtare në ketë rast është paraqitur në shkurt të 2026.

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

LEXO EDHE: Shtyhet me të paktën dy muaj vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, reagon Gjykata Speciale: Absolutisht e nevojshme!

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë dëgjuar më 9 shkurt në Gjykatën Speciale në Hagë kërkesën e Prokurorisë së Specializuar që secili prej tyre të përballet me një dënim të gjatë me burgim, për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest, në fillim të deklaratës përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kërkoi 45 vjet burgim për secilin prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë prej fillimit të nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.