Film & Tv Gossip Showbiz

Netflix mund t’i paguajë deri në 600 milionë dollarë kompanisë së Ben Affleck? Pse?

Platforma e njohur e transmetimit Netflix mund të realizojë një nga blerjet më të mëdha në historinë e saj, duke paguar deri në 600 milionë dollarë për startup-in e inteligjencës artificiale InterPositive, i themeluar nga aktori dhe regjisori Ben Affleck.

Sipas mediave amerikane, Affleck dhe investitorët e kompanisë mund të përfitojnë deri në këtë shumë nëse InterPositive arrin objektiva të caktuara të performancës pas marrëveshjes. Megjithatë, shuma fillestare që Netflix ka paguar për blerjen besohet të jetë më e ulët.

Më 5 mars, Netflix njoftoi zyrtarisht marrëveshjen për blerjen e kompanisë, edhe pse detajet financiare nuk janë bërë publike. Si pjesë e marrëveshjes, i gjithë ekipi i InterPositive, rreth 16 inxhinierë, studiues dhe krijues, do t’i bashkohet gjigantit të streamingut, ndërsa Affleck do të ketë rolin e këshilltarit të lartë për të siguruar vazhdimësinë e projektit.

Kjo marrëveshje vjen vetëm një javë pasi Netflix vendosi të tërhiqej nga tentativa për të blerë kompaninë Warner Bros. Discovery, pasi oferta konkurruese nga Skydance Media dhe Paramount Global u rrit në 31 dollarë për aksion.

Startup-i InterPositive, me seli në Los Angeles, është mbajtur pothuajse plotësisht në fshehtësi që kur u themelua nga Affleck në vitin 2022 dhe identiteti i investitorëve të tjerë nuk është bërë publik.

Sipas Affleck, kompania po zhvillon një sistem të inteligjencës artificiale që përdor pamjet ekzistuese të xhirimeve për të ndërtuar modele digjitale, të cilat regjisorët mund t’i përdorin më pas në post-produksion për procese si korrigjimi i ngjyrave, rindriçimi i skenave, miksimi i materialit dhe shtimi i efekteve vizuale.

Netflix planifikon t’u ofrojë këtë teknologji partnerëve të saj krijues, por për momentin nuk ka plane për ta shitur atë në mënyrë komerciale.

Drejtoresha e përmbajtjes në Netflix, Bela Bajaria, tha se teknologjia e InterPositive mund t’u japë krijuesve më shumë kontroll dhe më shumë mundësi për të mbrojtur vizionin e tyre artistik.

Nga ana e tij, Affleck u shpreh entuziast për bashkëpunimin e ri.

Nuk mund të jem më i lumtur që kjo punë vazhdon me ekipin e Netflix. Mezi pres t’i jap komunitetit krijues akses në atë që po ndërtojmë dhe në të ardhmen drejt së cilës po punojmë së bashku

-tha ai.