Volodymyr Zelensky luante rolin e një presidenti para tre vitesh në filmin “Servant of the People”, por sot ai është Presidenti i Ukrainës dhe po përballet me Rusinë. Seriali në fjalë ka marrë vëmendjen e shumë njerëzve nga mbarë bota që as nuk e njihnin para sulmit të Rusisë dhe ‘Netflix’ është detyruar ta rikthejë në platformë pas kërkesave të shumta.
Për momentin transmetimi ka nisur vetëm në SHBA dhe pritet të shpërndahet gjerësisht shpejt. Në njoftimin e “Netflix” thuhet se:
Ju e kërkuat dhe seriali u rikthye! ‘Servant of the People’ është sërish i disponueshëm në Netflix në SHBA. Seriali komedi satirik i vitit 2015 ka protagonist Volodymyr Zelensky në rolin e një mësuesi që befasisht bëhet President pasi një video ku ai ankohej për korrupsion u bë papritmas virale.
Ndërkaq, një gamë e rrjeteve globale kanë nisur të blejnë të drejtat e transmetimit të serialit komik. Ish-aktori dhe komediani Zelensky, asokohe ka luajtur rolin e Vasiliy Petrovich Goloborodko, rol i vitit 2015 i një mësuesi të shkollës së mesme, të shtyrë drejt presidencës. Kështu, Goloborodko nis të drejtojë vendin duke i shmangur përfitimet e të qenit lider dhe duke e mbajtur jetën e tij në ritmet e normales.
Hit në Ukrainë, ku u shfaq për tre sezone radhazi, interesi për të ka arritur kulmin që kur Zelensky u bë fytyra e kombit teksa u reziston sulmeve ruse. Partneri menaxhues i studios krijuese, Nicola Söderlund, ka zbuluar se shitjet janë rritur në mënyrë dramatike ditët e fundit. Ai e ka cilësuar interesin për këtë serial si të jashtëzakonshëm.
Është një shfaqje mjaft e vjetër, por duke pasur parasysh rrethanat, është bërë shumë, shumë, shumë interesante për të gjithë.
Sakaq, nuk do të mungojnë transmetimet nga rrjete të ndryshme televizive në Greqi, Rumani, Bullgari, Moldavi, Estoni, Francë apo Finlandë.