Bota

“New York Times”: Bateria e Trump-it me shenja rënieje/Presidenti sulmon gazetën!

Pothuajse një vit në mandatin e dytë, amerikanët po e shohin Trump-in më pak se më parë. Manjati ka më pak ngjarje publike të planifikuara dhe udhëton shumë më pak brenda vendit sesa në këtë pikë të vitit të tij të parë në detyrë, më 2017-ën, megjithëse po bën më shumë udhëtime jashtë vendit.

Ky është përfundimi i “New York Times”, që bën një analizë të agjendës së përditshme të presidentit amerikan.

Edhe pse Trump e ka reklamuar forcën fizike dhe energjinë si një nga pikat e tij të forta, duke tallur shpesh paraardhësin Joe Biden, agjenda e tij është më pak e ngjeshur dhe paraqitjet publike i ka më të shkurtra se në të kaluarën, me shumicën e tyre që mesatarisht zhvillohen mes mesditës dhe orës 17:00.

Realiteti është më i ndërlikuar: Trump, 79 vjeç, është personi më i moshuar, i zgjedhur ndonjëherë në presidencë dhe ai po plaket, shkruan “New York Times”.

Sipas analizës të kalendarëve zyrtarë presidencialë në një bazë të dhënash të mirëmbajtur nga Roll Call, i pari aktivitet zyrtar i Trump-it fillon më vonë gjatë ditës.

Më 2017-ën, vitin e parë të mandatit të parë, eventet e planifikuara të Trump-it, mesatarisht nisnin në orën 10:31. Në të kundërt, në mandatin e dytë, manjati i filloi pas mesdite. Mesatarisht, ato mbyllen në të njëjtën kohë si në vitin e parë të mandatit të parë, pak pas orës 17:00.

Numri i përgjithshëm i paraqitjeve zyrtare të Trump-it është ulur me 39%. Më 2017-ën, Trump pati 1 688 aktivitete zyrtare midis 20 janarit dhe 25 nëntorit të atij viti. Gjatë së njëjtës periudhë të atij viti, u shfaq në 1 029 ngjarje zyrtare.

Dhe kur është në publik, bateria e tij ndonjëherë tregon shenja rënieje, si gjatë një eventi në Zyrën Ovale që filloi rreth mesditës më 6 nëntor, kur Trump u ul në tavolinën e tij për rreth 20 minuta, ndërsa përfaqësues të farmaceutikës i qëndronin përreth, duke diskutuar ilaçet për humbje peshe.

Në një moment, qepallat e Trump-it u ulën derisa u mbyllën pothuajse plotësisht dhe dukej sikur dremiti për disa sekonda. Trump reagoi duke sulmuar “New York Times”-in.

Manjati i lartëson arritjet dhe shkruan:

Pavarësisht të gjithave këtyre, të çmendurit radikalë të krahut të majtë në “New York Times”, që së shpejti do të mbyllet, shkruan një artikull kundër meje, duke thënë se ndoshta po humbas energjinë, pavarësisht fakteve që vërtetojnë pikërisht të kundërtën.

Autorja e artikullit, Katie Rogers, e caktuar të shkruajë vetëm gjëra negative për mua, është një gazetare e dorës së tretë, e shëmtuar si brenda ashtu edhe jashtë. Pavarësisht të gjithave këtyre, unë kam shifrat e mia më të mira në sondazhe dhe me investimet rekord që po bëhen në Amerikë, ato duhet vetëm të rriten. Do të vijë një ditë kur do të kem më pak energji, u ndodh të gjithëve.