Donald Trump padit për shpifje gazetën e përditshme The New York Times, katër prej gazetarëve të saj dhe shtëpinë botuese Penguin Random House, duke kërkuar dëmshpërblim prej të paktën 15 miliardë dollarësh, pasi pretendon se ka qenë viktimë e shpifjeve dhe se i është dëmtuar reputacioni.
Padia e presidentit amerikan në një gjykatë në Florida përfshin disa shkrime të New York Times-it, mes tyre një editorial para zgjedhjeve presidenciale të 2024-ës, që thonte se “ai nuk ishte i denjë për postin më të lartë shtetëror”, si dhe një libër të publikuar nga Penguin-i, me titull “Humbësi me fat: Si e shpërdoroi Donald Trump pasurinë e të atit dhe krijoi iluzionin e suksesit”.
Të pandehurit kanë publikuar me keqdashje librin dhe artikujt, duke e ditur se këto botime ishin plot shtrembërime dhe fabrikime të pështira për presidentin Trump, thuhet në shkresën e dorëzuar në Gjykatën e Qarkut në Florida.
Avokatët e Trump-it thanë se botimet kanë dëmtuar reputacionin personal e bizneset e Trumpit, duke shkaktuar dëm masiv ekonomik ndaj vlerës së markës së tij, si dhe dëme të konsiderueshme kundrejt perspektivës financiare të presidentit.
Padia erdhi pasi Trump kërcënoi javën e kaluar se do të padiste New York Times-in për raportimet e gazetës mbi një porosi dhe vizatim të përshkruar si seksualisht sugjestiv, dhënë Jeffrey Epsteinit. Epstein, financier famëkeq i dënuar për krime seksuale, vdiq pasi kreu vetëvrasje në një qeli burgu në Nju-Jork, në vitin 2019.
Trump ka thënë se i pati ndarë udhët me Epsteinin para se telashet ligjore të financierit të bëheshin publike më 2006-ën.
Sot kam nderin e madh të paraqes padinë 15-miliardë dollarëshe për shpifje kundër The New York Times, shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social.
Trump akuzon gazetën se ka gënjyer për të, për familjen e tij, bizneset që ka, si dhe për lëvizjet e ideologjitë e udhëhequra nga republikanë, si America First Movement e Make America Great Again (MAGA). Në mandatin e dytë, Trump ka intensifikuar luftën me kompanitë mediatike.
Më herët, këtë vit, ai paditi gazetën The Wall Street Journal dhe botuesit e saj, përfshirë Rupert Murdochun, duke kërkuar dëmshpërblim prej të paktën 10 miliardë dollarësh për shkak të raportimit se emri i tij ishte në një urim ditëlindjeje për Epsteinin më 2003-shin.
Në korrik, kompania Paramount ra dakord për zgjidhjen e një përplasjeje gjyqësore, pas një padie nga Trump, ku ai pretendonte se programi i CBS-it, “60 Minutes”, kishte redaktuar në mënyrë mashtruese një intervistë me ish-zv.presidenten amerikane, Kamala Harris, të cilën rrjeti e transmetoi në tetor.