G-Bani dhe Tiri Gjoci ishin të ftuar në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio me Jonida Aliçkollin dhe Arbër Çepanin, ku rrëfyen me sinqeritet historinë e tyre në muzikë dhe bashkëpunimin e fundit që lindi pas eksperiencës së përbashkët në edicionin e katërt të Big Brother VIP Albania. Të dy artistët, ndonëse me rrugëtime të ndryshme muzikore, u bënë figura të dashura për publikun gjatë qëndrimit në shtëpinë më të famshme në vend, ku lidhën një miqësi të sinqertë dhe të papritur. Pasi dolën nga formati, vendosën të konkretizonin këtë lidhje edhe në aspektin artistik, duke sjellë këngën “Spo ma nin”, një projekt që përmbledh shpirtin rebel dhe të vërtetën e tyre si artistë, pa filtra dhe pa pretendime.
Në intervistën e tyre, G-Bani foli për rrënjët e tij në hip-hop, fillimisht në skenën greke dhe më pas në Shqipëri, duke theksuar se “Spo ma nin” është një reflektim personal mbi qëndrimin që ka mbajtur gjithmonë ndaj jetës dhe muzikës si i lirë, i sinqertë dhe me zë të fortë. Ndërkohë, Tiri, me një karrierë që përfshin fitoren në “The Voice of Albania” dhe pjesëmarrje të suksesshme në festivale të mëdha, theksoi se ky bashkëpunim është një shkrirje perfekte e dy botëve muzikore: e tij, e ndjeshme dhe melodike, me atë të G-Banit, më e drejtëpërdrejtë dhe urbane. Kënga “Spo ma nin” përçoi një mesazh fuqishëm emocional, duke shërbyer si zë për të gjithë ata që nuk kanë frikë të jenë vetvetja, edhe kur bota u thotë të kundërtën. Ky projekt shënon jo vetëm një moment artistik të veçantë për ta, por edhe një lidhje që nisi si realitet televiziv dhe u kthye në realitet muzikor. Më shumë për bashkëpunimin mes tyre, G Bani shtoi:
Ne e filluam këngën që para pushimeve në Turqi. Ishte mirëkuptim i të dyve dhe vlerësimi që kishim për njëri-tjetrin që kur ishim aty brenda, edhe kanë ekzistuar polemika, por e kemi vlerësuar njëri-tjetrin si artista.
Në lidhje me krijmtarinë brenda BBV, ai u shpreh:
Unë tek Big-u kam shkruajtur të paktën 20 e ca tekste, edhe përveç asaj këngës që modifikova, bëra remix, përshtata këngën “Tirona” që e quajta “Big Brother”. Nuk është se pata mundësi, s’është se m’u dha prioritet për t’u marrë me art. Aty ishte bjeri që t’i bimë. Që kam krijuar, kam krijuar se unë kam krijuar në të gjitha kushtet, por e kam fjalën që disa këngë të kishim pasur mundësinë t’i realizonim kur ishim aty brenda, jo domosdoshmërisht kur dolëm.
Nga ana tjetër, për bashkëpunimin me të, Tiri shtoi:
Bashkëpunimi me G-Bani ka qenë shumë interesant. Unë pasi dola kisha dëshirë për të bërë një bashkëpunim, edhe pse nuk ja kam thënë. Ka qenë ai sikleti, duke qenë se brenda shtëpisë kemi pasur disa polemika.