Tech Top Tech - News

Nga çanta “99% ajër” me materiale nga NASA, vjen tani ‘një çantë nën ujë’ që do të habiteni!

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

E di që moda ndonjëherë duket sikur ka arritur kulmin e çmendurisë… por prit ta dëgjosh këtë: Coperni ka printuar një çantë nën ujë! Po, s’është metaforë – e kanë bërë vërtet. Quhet Ariel Swipe Bag, dhe u prezantua gjatë sfilatës së pranverë-verës 2025 në Disneyland Paris.

Coperni, për ata që s’i kanë ndjekur, është i njëjti brand që solli çantën “99% ajër” me material nga NASA. Kësaj here, ata kanë bashkëpunuar me Rapid Liquid Print – një kompani që ka dalë nga MIT dhe që e quan procesin e vet “Gravity Free Manufacturing”. Ideja është gjeniale: në vend që të printohet shtresë pas shtrese si çdo 3D printer tjetër, ata “vizatojnë” objektin brenda një xhami të mbushur me xhel me bazë uji.

Në atë masë xheli, një gjilpërë e hollë nis të lëshojë silikonin e riciklueshëm, ngjyrë blu dhe e formon çantën pikë për pikë. Kur arrin në fund, makina mbyll dorezën dhe… kaq, çanta është gati për përdorim, pa asnjë pas-proçesim. E gjithë kjo ndodh sepse xheli e mban formën në ajër, pa lejuar që materiali të bjerë apo të deformohet.

Materiali? Silikon i riciklueshëm, i kuruar me platin, i butë dhe elastik – dhe, sipas Coperni, krejtësisht jo toksik. Ideja është që e ardhmja e modës të mos jetë vetëm spektakël, por edhe teknologji që respekton mjedisin.

Çanta ende nuk ka dalë për shitje online. Gjithsesi, Ariel Swipe Bag mbetet një nga shembujt më të bukur të asaj që ndodh kur moda dhe shkenca vendosin të bashkpunojnë.