Të ftuar në emisionin “Big Brother Radio” me moderatoren Elona Duro kanë qenë Liesa Haxhiasllani (shoqja e Ardit Muratajt), producenti i mirënjohur Ols Abazi dhe Saranda Bujupi Rama (shoqja e Shëndrit Lumit), për të folur rreth zhvillimeve më të fundit në shtëpinë e Big Brother VIP Albania.
Të ftuarit komentuan mbi ndikimin që këto marrëdhënie dhe përplasje mund të kenë në rrjedhën e lojës, duke theksuar se hyrjet e reja jo vetëm kanë sjellë tension, por edhe aleanca të papritura që mund të ndryshojnë balancat mes banorëve. Në fokus të diskutimit ishin dy hyrjet e reja në lojë, Shëndrit Lumi dhe Ardit Murataj, të cilët megjithëse hynë në të njëjtën kohë, janë përfshirë në debate mes tyre, duke treguar se dinamika e lojës ka nisur menjëherë të krijojë tensione. Një tension pati mes të dyve, ku në lidhje me sjelljen e Arditit, Lisea u shpreh:
Duket sikur po përpiqet të pozicionohet në shtëpi. Është pak më agresiv seç duhet si fillim, por po përpiqet të krijojë territor.
Ndërsa Ols Abazi shtoi:
Kam përshtypjen që kur ti futesh në mes të lojës është e vështirë për dinamikat aty brenda. Arditi është një djalë ambicioz. Arditi është djalë që e njeh televizionin, e njeh radion, pak a shumë dinamikën se çfarë duhet, por atje brenda është e vështirë kur futesh në mes. E vetmja mënyrë që mund t’i çash ato ujërat është që të shndërrohesh në një përbindësh si Rogerti.
Megjithatë, nga ana tjetër është vënë re edhe një zhvillim interesant në raportet brenda shtëpisë. Shëndriti ka krijuar një raport shoqëror me Selin, që duket se po forcohet dita-ditës. Madje, u zbulua se edhe jashtë shtëpisë së BBV-së, familjarët e të dy palëve kanë kontaktuar me njëri-tjetrin, çka tregon se lidhja e krijuar në lojë ka reflektuar edhe përtej saj.
Po, na ka kontaktuar familja që unë dua t’i përshëndes. Është më e rëndësishme t’i falënderojmë për fjalët e mëdhaja që kanë shprehur për Shëndritin. Ata janë mirënjohës, janë falënderues. Sidomos kanë qenë shumë kërkues që këtë mesazh t’ja përcjellim nënës së Shëndritit dhe t’i themi zonjës Suzana që ke një djalë të mbarë, një djalë shumë të zgjuar, shumë të edukuar.