Spanja merr drejtimin e Bashkimit Europian, të cilin do ta mbajë për 6 muaj, pra deri në dhjetor të këtij viti. Një ditë më parë, ambasadori i Madridit në Beograd, Raul Bartolome Molina, theksoi se qëndrimi i vendit të tij është i qartë:
Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa mbështet përpjekjet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Ky qëndrim nuk ka ndryshuar e as nuk do të ndryshojë. Të gjithë aleatët tanë e dinë shumë mirë këtë.
Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Europian që nuk njohin pavarësinë e Kosovës, bashkë me Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë e Qipron.
Sipas rendit të paracaktuar, Spanja mori presidencën e BE-së për gjashtë muaj pas Suedisë që e mbajti në gjashtëmujorin e parë të vitit. Prej 9 janarit, presidenca suedeze e Bashkimit Europian kishte nisur konsultimet me vendet anëtare lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Union.
Referuar procedurave të BE-së, pasi një shtet aplikon për anëtarësim, Këshilli kërkon nga Komisioni Europian që të përpilojë opinionin nëse aplikuesi i përmbush apo jo kushtet për status-kandidati dhe për nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Kosova dorëzoi kërkesën formale për anëtarësim në BE më 15 dhjetor, por presidenca çeke nuk pati kohë që të shqyrtonte kërkesën dhe vetëm i njoftoi vendet anëtare për dorëzimin e saj. Më pas, dosja i kaloi presidencës suedeze.
Eshtë e paqartë si do të vazhdohet lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim gjatë gjashtëmujorit të presidencës së Spanjës, si vend që nuk ia njeh pavarësinë.
Presidencën gjashtëmujore të Spanjës në Bashkimin Europian, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez e nisi sot me një vizitë të shpejtë në Kiev, për të nënvizuar mbështetjen e bllokut ndaj Ukrainës, përballë pushtimit rus.
Pedro Sanchez, tha:
Lufta në Ukrainë do të jetë një nga prioritetet e mëdha të presidencës sonë.
Kjo është hera e tretë e Sanchezit në Kiev që kur Rusia nisi pushtimin, në shkurt të vitit 2022.
Përveç Ukrainës, Spanja shpreson të bëjë përparim në disa çështje kryesore të BE-së gjatë presidencës që përfundon më 31 dhjetor. Sanchez beson se BE-ja do ta finalizojë një pakt kontrovers lidhur me emigracionin, pavarësisht dallimeve të vazhdueshme brenda Bllokut. Vitin e ardhshëm, presidencën e BE-së do ta kenë Belgjika e Hungaria.