Presidenti i Federatës së Futbollit të Argjentinës, Claudio Tapia, ka reaguar publikisht pas valës së teorive konspirative që qarkulluan pas finales së Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës.
Pas pretendimeve për ndërhyrje të FBI-së, kërcënime ndaj familjarëve, presione nga jashtë dhe skenarë të ndryshëm që u përhapën në rrjetet sociale, Tapia kërkoi t’u jepet fund spekulimeve dhe të pranohet rezultati sportiv.
“Mjaft me këto gënjeshtra e teori konspirative. Spanja ishte më superiore, na mposhti dhe kaq. Duhet ta pranojmë këtë. Në sport duhet pranuar edhe humbja,” u shpreh ai.
Tapia theksoi se humbja është e dhimbshme për një komb si Argjentina, e mësuar të luftojë për trofe dhe të jetë në majën e futbollit botëror.
“Dhemb sepse jemi konkurrues, sepse jemi skuadra më e suksesshme në histori dhe sepse vendi i dytë nuk është kurrë i mjaftueshëm për ne. Por duhet të ndalemi për një moment dhe të mendojmë për sakrificën e lojtarëve, stafit dhe trajnerëve, që për më shumë se 50 ditë qëndruan larg familjeve për të përfaqësuar Argjentinën në mënyrën më të mirë të mundshme,” deklaroi ai.
Në fund, kreu i futbollit argjentinas bëri thirrje që fokusi të mbetet te respekti për sportin dhe puna e ekipit, duke nënvizuar se Argjentina do të vazhdojë të luftojë me të njëjtin pasion në kompeticionet e ardhshme.