Aktualitet Sport

Nga Strakosha te Broja dhe Silvinjo, mësoni vlerësimet për Kombëtaren pas sfidës me Anglinë!

Shqipëria u mposht dje nga Anglia me rezultatin 2-0 në “Wembley”. Më poshtë janë vlerësimet për kuqezinjtë e aktivizuar si dhe trajnerin Silvinjo.

STRAKOSHA 6- Dy pritje vendimtare ndaj Bellingamit. Ndal edhe Bërnin, por bën dhe një dalje jo shumë e sigurt. Pëson dy gola, por asnjë për fajin e tij. Nuk ishte mbrëmja më e lehtë e mundshme për portierin e Kombëtares shqiptare. Largohet i dëmtuar nga fusha. (Nga 82′ Kastrati-Pa notë).

BALLIU 5,5- Limitohet në detyrat mbrojtëse në këtë ndeshje. Ia del deri diku ndaj Rashfordit, por ishte jashtë pozicionit në golin e parë të Anglisë. Pak pjesëmarrje në sulm. Nuk e ka luksin.

AJETI 6- Sa e vështirë nota e tij. Është një mesatare mes performancës së shkëlqyer gjatë 90 minutave dhe gabimit te leximi i topit për Kejnin, që solli golin e dytë. Si një usta i vjetër, nuk mund ta gabonte. Por sa mirë bëri në shumë raste të tjera!

GJIMSHITI 6- Herri Kejn vuri duart në kokë kur sparkata e tij ndryshoi drejtimin e topit. Ndërhyrje që vlen sa një gol. Menaxhon mirë prapavijën, në një ndeshje me stres të madh. Merr një të verdhë që ndoshta e kushtëzon.

ALIJI 6- Lojtari i Dinamo Sitit fiton duelin me homologun e tij të Manccester Sitit. Batutë. Përtej saj, nuk stonon dhe bën detyrat e tij në prapavijë. Nuk shtyn fare në sulm, por s’është kjo ndeshja.

RAMADANI 5- Vrapon pafund, por klientët që ka përpara janë të një niveli të lartë. Vuan mungesat e minutave në këtë moment të sezonit me Leçen. Nuk jep shumë garanci.

ASLLANI 5,5- Pritshmëritë për të janë të mëdha dhe ndoshta ai e vuan këtë gjë. Gabon në minutat e para çdo pasim nga presingu i rivalit. Rritet në të dytën dhe merr përgjegjësi, por atë do ta përndjekë gjithmonë fakti i të qenit ylli që duhet të na udhëheqë. Jep pasimin e gjatë për Brojën, që sjell një aksion të rrezikshëm.

LAÇI 5,5- Është lojtari që duhet të bëjë presing tek anglezët që kanë topin, por nuk gjen gjithmonë kohën e duhur. Për më tepër kur ka topin në këmbë nuk gjen dot pasimin e saktë. (Nga 78′ Pajaziti- Pa notë).

ASANI 5- I vendosur keq në momentin e golit të parë të Anglisë. Nuk lëviz me linjën mbrojtëse për ta lënë në pozicion të parregullt. I humbet edhe kohën e markimit. Përpara del pak në pah dhe shpërdoron një asist nga Armando Broja. Nuk është Asani që njohim. (Nga 78′ Hoxha 5- Pak minuta. Në ndeshjet e tjera ka dhënë shkëndija, por këtë herë thuajse nuk u fut fare).

BAJRAMI 5- Ndoshta prej rivalit apo prej rolit. Kjo nuk ishte mbrëmja e tij. Shumë pak prezent në lojë. Vetëm një top i rrezikshëm i hedhur drejt zonës. Në një ndeshje ku e kemi pak topin në zotërim, Bajrami sigurisht që do të vuajë. (Nga 63′

BROJA 6- Në 30 minuta lojë bën më mirë se çdokush që është në fushë. Startin e ka të zjarrtë duke avancuar drejt portës dhe duke dhënë 2 topa të rrezikshëm. Një lojtar i tillë na duhet).

UZUNI 5,5- Nuk mund ta kritikosh për impenjimin, dëshirën dhe kilometrat që përshkon në fushë. Por është sulmues dhe me topin ka pak kontakt. Rrezikon një top të kthyer në zonë ku Kejn nuk përfiton. Ndryshon shpesh pozicionin përpara në kërkim të hapësirave, por nuk ia del. Sulmon Pikfordin në një aksion që për pak sa nuk shënon autogol.

TRAJNERI SILVINJO 5,5- Kërkoi ta luante këtë ndeshje me 9 false si Uzuni, por lojtarët e shërbenin me topa të gjatë. Skuadra ishte shumë pasive në start dhe vuajti qarkullimin e topit nga rivali. Në të dytën bënë më mirë, duke guxuar me Brojën. Ndoshta mund të bënin të gjithë më mirë, ashtu si ai.