Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Zuckerberg s’ndalet! Meta nxjerr “Forum”, aplikacionin e ri që me Inteligjencë Artificiale bën…
Ndërkohë që ne ende kemi hallin të kujtojmë ku kemi lënë password-in e Facebook-ut, Meta ka nxjerrë fshehurazi një aplikacion të ri që quhet “Forum”. Dhe jo, nuk është forum si ato të viteve 2007 ku njerëzit ziheshin për Windows XP. Kjo është pak a shumë “Reddit by Meta”. Një vend ku njerëzit futen në grupe, bëjnë diskutime të thella… ose debatojnë për 3 orë pse kapucino është më e mirë se espresso.
Aplikacioni lidhet direkt me Facebook-un, merr grupet që ke, profilin, aktivitetin dhe të lejon të postosh edhe me profil anonim. Pra tani mund të ankohesh anonim në grupin e pallatit pa ta kuptuar njeri kush je. Teknologjia po ecën përpara.
Pjesa më epike? Ka edhe AI brenda. Një tab “Ask” që mbledh përgjigje nga diskutimet e grupeve. Në teori tingëllon futuriste. Në praktikë… imagjino AI-n që përpiqet të kuptojë debatet e Facebook-ut shqiptar. Roboti me siguri do thotë: “Më fikni. Nuk jam trajnuar për këtë nivel komentesh.”
Meta thotë se njerëzit duan më shumë aplikacione. Dhe sinqerisht, është fiks si ai shoku që të pyet: “Do hash?” dhe para se të përgjigjesh të sjell 20 pjata.
Ndërkohë Mark Zuckerberg paska thënë që me AI tani mund të ndërtojnë 50 aplikacione të reja. 50! Vëlla, ne mezi mbajmë hapur WhatsApp-in pa na mbaruar bateria. Meta po sillet si ai studenti që s’ka bërë detyrat… por hap biznes të ri çdo javë.
Syzet futuriste të Google mund të ndryshojnë gjithçka përgjithmonë…
Po afrohet dita kur njerëzit do ecin në rrugë duke folur me syzet… dhe askush nuk do e kuptojë më nëse je duke bërë telefonatë, duke dëgjuar muzikë… apo thjesht ke humbur komplet kontaktin me realitetin.
Sepse Google sapo prezantoi syzet e reja me inteligjencë artificiale dhe sinqerisht… duket fiks sikur jemi në Cyberpunk.
Syzet kanë ekran brenda lentes, përkthim live, navigim me Google Maps, kamera, muzikë dhe Gemini AI që të dëgjon sa herë mban shtypur butonin tek bishti syzeve. Pra teknikisht, tani edhe syzet kanë më shumë vëmendje ndaj teje sesa disa njerëz në marrëdhënie.
Pjesa më e fortë? Përkthimi në kohë reale. Një person fliste frengjisht dhe syzet e përkthenin direkt në anglisht para syve.
Pra teknologjia po eliminon dhe barrierat gjuhësore.Ka edhe navigim me syze. Tani nuk do shohësh më njerëz me telefonin para fytyrës si zombie te “Walking Dead”. Do shohësh njerëz që ecin duke parë boshllëkun me syze futuriste dhe duke kthyer kokën majtas-djathtas si pula që kërkojnë Wi-Fi.
Madje syzet mund të identifikojnë objekte dhe të përgjigjen për to. Pra po afrohemi shumë pranë momentit kur dikush do shohë një byrek dhe do pyesë AI-n:
“A ka proteina?”
Dhe AI do përgjigjet:
“Vëlla, ha byrekun dhe mos e kompliko jetën.”Problemi i vetëm? Ende nuk janë perfekte. Zëri nuk ishte super i pastër, ekrani pak i turbullt dhe bateria mbetet pikëpyetje. Me pak fjalë: janë në atë fazën “wow”… por edhe “prit se po nxehet pak.”
Gjithsesi, konkurrenca me Meta dhe Apple po bëhet aq agresive sa duket sikur kompanitë teknologjike janë futur në garë për të na kthyer të gjithëve në personazhe të Cyberpunk… por me abonim mujor.
Starship V3 dështon në sekondat e fundit! Ja pse u ndal raketa më e madhe në botë…
Elon Musk ishte vetëm 40 sekonda larg momentit “histori për njerëzimin”… dhe pastaj raketa tha:
“Jo sot, shef.”
SpaceX anuloi në sekondat e fundit nisjen e parë të Starship V3, raketës gjigante që duket sikur është dizenjuar nga një fëmijë 8-vjeçar pasi ka parë shumë filma me alienë dhe ka pirë 3 Red Bull.
Dhe problemi? Një kunj hidraulik nuk u tërhoq. Po. Teknologjia më futuriste në planet… u bllokua nga diçka që tingëllon si problem porte garazhi në Shkodër.
Raketa ishte gati, e mbushur me karburant, countdown-i kishte zbritur nën 40 sekonda… ndërkohë inxhinierët e SpaceX po shikonin ekranet me atë fytyrën klasike:
“Mos na e bëj këtë tani… të lutem.”Kjo është super e rëndësishme për Musk sepse SpaceX po përgatitet të dalë në bursë. Pra imagjino stresin: miliarda dollarë, investitorë, livestream global… dhe raketa vendos të bëjë “update later”.
Starship V3 është versioni i ri i raketës më të madhe në botë. Më shumë fuqi, motorë të rinj Raptor, sistem më i avancuar dhe ideja finale është që raketa të ripërdoret komplet.
Madje SpaceX po tenton që në të ardhmen raketa të kapet nga kulla gjatë kthimit. Po, ta “kapin”.
Kjo raketë është thelbësore edhe për Starlink-un, internetin satelitor të Musk që gjeneroi rreth 11 miliardë dollarë vitin e kaluar. Problemi është se Starship ende nuk ka dërguar ngarkesa reale në orbitë. Pra teknikisht jemi ende në fazën:
“Punon shumë mirë në prova… zakonisht.”Musk tha se do e provojnë përsëri sot. Dhe sinqerisht, kjo është gjëja me Elon Musk:
raketa shpërthen, dështon, anulohet… dhe ai del pas 5 minutash dhe thotë:
“Okej, nesër prapë.”
Google do që AI të bëjë gjithë punën online për ty! Sjell asistentë AI që punojnë 24 orë për…
Google nuk do më që ti të kërkosh në internet.
Google do që interneti të të kërkojë për ty.
Sepse në eventin Google I/O 2026 kompania prezantoi AI agents – asistentë inteligjentë që punojnë 24 orë në sfond dhe ndjekin çdo gjë që të intereson. Pra praktikisht, Google po ndërton versionin dixhital të atij shokut që thotë:
“Mos u shqetëso, e ndjek unë.”Deri dje kërkoje vetë në Google: aksionet, moti, ndeshje, bileta koncerti, fluturime. Tani agjenti AI i ndjek vetë dhe të njofton kur ndodh diçka interesante. Pra interneti po kalon nga “search engine” në “sekretar personal me ankth kronik.”
Mund të krijosh agjent për bursën, për çmimet e avionëve, për ekipin e zemrës, për tregun e punës, për apartamente… madje edhe për filma. Imagjino të kesh një AI që të zgjon natën:
“Shef, biletat për koncertin ranë 17%. Bli tani.”Dhe Google nuk është vetëm këtu. Tani kemi agjentë AI gjithandej. OpenAI po ndërton agjentë që bëjnë research, Microsoft po fut Copilot në çdo cep të Windows-it, Amazon po tenton ta bëjë Alexa-n më pak… Alexa të 2016, ndërsa Meta po ëndërron për AI që të njeh më mirë se kushëriri që të pyet “kur do fejohesh?”
Kjo është faza e re e internetit: jo më chatbot që pret pyetje, por AI që bën punën për ty. Ti thua një herë “më intereson Formula 1” dhe AI punon gjithë ditën sikur ka frikë mos e pushon nga puna.
Madje Google po ridizenjon komplet Search-in. Kërkimet do jenë më bisedore, më natyrale dhe AI do të ndihmojë të formulosh pyetjen.
Problemi i vetëm? Këto AI agents po bëhen aq të avancuar sa jemi shumë afër momentit kur AI do të të dërgojë njoftim:
“Kam parë si jeton ti. Duhet të flesh më shumë dhe të ndalosh doomscrolling në 2 të natës.”
Serverat e inteligjencës artificiale po zhvendosen në det sepse…
Në këtë pikë, teknologjia ka vendosur që toka nuk mjafton më.
Data center-at po ikin në det.
Po, një startup amerikan i quajtur Panthalassa po ndërton data center-a lundrues që furnizohen nga dallgët e oqeanit. Pra imagjino serverat e AI-së duke bërë surf ndërkohë që ChatGPT të përgjigjet:
“Ka pak vonesë sot, se ka det me dallgë.”Platforma quhet Ocean-3 dhe ideja është komplet futuristike: një strukturë gjigante që noton në oqean, prodhon energji nga lëvizja e valëve dhe ushqen një data center për inteligjencë artificiale. Pa kabllo, pa lidhje me tokën, pa spirancë. Vetëm ujë, satelitë dhe shumë besim te moti.
Sipas kompanisë, energjia mund të kushtojë vetëm 2 cent për kilovat. Domethënë AI po shkon drejt fazës ku do konsumojë më pak energji sesa kondicioneri i atij lokalit që e mban në 16 gradë edhe në janar.
Dhe sinqerisht, kjo po ndodh sepse AI po ha energji si i çmendur. Çdo chatbot, çdo “më bëj CV-në më profesionale” po djeg servera natë e ditë. Kështu që Silicon Valley ka parë oqeanin dhe ka thënë:
“Hmmm… po sikur ta kthenim Atlantikun në karikues?”Kompania thotë se shumë platforma mund të lidhen bashkë dhe të funksionojnë si një mega data center në det. Pra praktikisht po afrohemi drejt momentit kur do kemi “server farms”… që janë realisht ferma në mes të oqeanit.
Por ka edhe probleme të vogla. Shumë të vogla. Si uraganet. Kripa. Dallgët gjigante. Ndryshku. Dhe fakti që interneti do transmetohet me satelit. Pra nëse deti acarohet, AI mund të të përgjigjet me buffering.
Megjithatë, ideja po merr investime serioze dhe kompania ka ish-punonjës të SpaceX dhe Tesla.
Në këtë ritëm, pas 5 vitesh do kemi: makina autonome, syze me AI, robotë në shtëpi… dhe servera që notojnë në Paqësor si balena teknologjike që përpunojnë meme 24 orë në ditë.