Rajoni

Ngërçi në Kuvend, Osmani pritet të thërrasë në takim partitë

Në ditët në vijim presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të thërras në takim partitë politike për të gjetur zgjidhje për të tejkaluar ngërçin në Kuvend.

 “Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do të ftojë liderët e partive politike në takime në ditët në vijim. Presidentja pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata.

Nëse paraqitet nevoja, Presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha Bekim Kupina, këshilltar për media.

Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se aktgjykimi lejon votimin e fshehtë për kryeparlamentarin, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë argumentuar të kundërtën.

 “Nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha Kupina.
Presidentja Osmani ishte shprehur e gatshme t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese edhe pas një takimi konsultativ që kishte pasur me krerët politikë më 15 maj.

Vetëvendosje, si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi, dhe ajo këmbëngul vazhdimisht që Haxhiu është figura e duhur, ndonëse për partitë tjera ajo është e papranueshme dhe konsiderohet figurë përçarëse.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.