Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se të akuzuarit për sulmin në Banjskë gjenden shumë afër presidentit serb, Aleksander Vuçiç, madje, siç theksoi, “më pranë se mbrojtja e tij e afërt”. Kurti sërish kërkoi që ata t’iu dorëzohen autoriteteve kosovare. Komentet i bëri pasi në rrjetet sociale u publikuan pamje e foto që shfaqnin disa persona para selisë së Presidencës së Serbisë, për të cilët pretendohet se janë të përfshirë në sulmin e Banjskës.
Radio Evropa e Lirë po verifikon identitetin e tyre. Kurti shtoi se kjo dëshmon se ekzekutivi pati të drejtë kur më 2023-shin shpalli “organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut””.
Në Banjskë të Zveçanit, në fund të shtatorit e vranë rreshterin tonë policor, Afrim Bunjaku dhe ne kërkojmë dorëzimin e kryekriminelit, kryeterroristit Millan Radoiçiç me 44 paramilitarë të tjerë, të cilët morën pjesë në sulmin terrorist e kriminal të shtatorit të vitit 2023. Tash, të njëjtit janë më afër sesa mbrojtja e afërt e presidentit të Serbisë [Aleksandar Vuçiç].
Sipas tij, imazhet e kapura para ndërtesës së Presidencës serbe, tregojnë se sulmi në Banjskë më 2023-shin u krye nga një grup “kriminal e terrorist” që ishte “i dirigjuar, financuar nga Beogradi” e siç theksoi Kurti, “nuk ishte grup huliganësh”.
Janë njerëz të cilët janë ushtruar në Serbi, i marrin urdhrat prej andej dhe kanë bërë agresion në Kosovë. Ata duhet t’i dorëzohen Kosovës. Kjo flet se ne kemi pasur gjithçka të drejtë dhe tregon gjithçka për regjimin e Beogradit, i cili në njërën anë vepron kësisoj për shkak se i mohon krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e në anën tjetër vetëm sa e rrit bashkëpunimin me Kremlinin, me presidentin despotik, Vladimir Putin.
Në Kosovë është duke u zhvilluar gjykimi për rastin e Banjskës ndaj tre personave. Ndërkaq, në aktakuzën për sulmin e armatosur janë përfshirë 45 persona. Gjatë këtij sulmi ishte vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë shkëmbimit të zjarrit me grupin e serbëve të armatosur u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë. Për Radoiçiçin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti e që ndodhen në arrati, prokurorët kërkuan “gjykim në mungesë”, por Gjykata Themelore ia hodhi poshtë kërkesën si të “pabazuar”.