Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi sot se ka ngritur aktakuzë kundër një të dyshuari me iniciale V.N për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999. Sipas kësaj aktakuze, personi me iniciale V.N dyshohet për vrasjen e shtetasve M.A e Sh.A, si dhe plagosjen e SH.S.
Vepra dyshohet se u krye në qytetin e Suharekës, gjatë viteve 1998-99, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe. Për shkak se i pandehuri V.N është i pa arritshëm për organet e drejtësisë, janë plotësuar kushtet ligjore për ngritjen e aktakuzës në mungesë.
Tani, çështja penale i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. I pari gjykim në mungesë për krime lufte pati nisur në nëntor të vitit 2023 në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjykimi mund të mbahet në mungesë të të akuzuarit e kjo mund të bëhet kur prokuroria dhe gjykata t’i kenë ezauruar të gjitha mjetet për sigurimin e pranisë së të akuzuarit.
Dhjetorin e kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës raportoi se ngriti 33 aktakuza që përfshijnë 89 persona për krime lufte në Kosovë. Prej përfundimit të luftës së fundit, rreth 70 vetë janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Nga viti 2000 deri në vitin 2008, krimet e luftës në Kosovë janë hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, prej Misionit të Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Në vitin 2018, ky mision i ka dorëzuar dosjet në Prokurorinë e Kosovës e në gjykatat vendore. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, në vitet ’98-99 janë vrarë mbi 13 mijë civilë dhe mijëra të tjerë u zhdukën. Më shumë se 1 mijë e 600 persona, ende vazhdojnë të jenë të pagjetur, pjesa më e madhe, shqiptarë.