Donald Trump lëshoi një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit lidhur me sigurinë e transportit të naftës në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më strategjike për tregtinë globale të energjisë.
Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërhyjnë menjëherë nëse Teherani tenton të bllokojë kalimin e naftës përmes kësaj ngushtice.
Nëse Irani bën diçka për të ndaluar rrjedhën e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, ai do të goditet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës 20 herë më fort nga sa është goditur deri më tani.
Po ashtu, Trump vuri në dukje se SHBA-të kanë kapacitete për të goditur objektiva të rëndësishme në Iran, që sipas tij mund të shkatërrohen shpejt në rast përshkallëzimi të situatës.
Në reagimin e bërë, shefi i Shtëpisë së Bardhë përdori një retorikë edhe më të ashpër duke paralajmëruar pasoja të rënda për Iranin nëse tensionet do të rriteshin.
Përveç kësaj, ne do të neutralizojmë objektiva lehtësisht të shkatërrueshme që do ta bëjnë pothuajse të pamundur për Iranin që të rindërtohet ndonjëherë si komb. Vdekja, zjarri e tërbimi do të mbretërojnë mbi to, shkroi Trump.
Megjithatë, presidenti amerikan shtoi se shpreson që një skenar i tillë të mos ndodhë.
Shpresoj dhe lutem që kjo të mos ndodhë, theksoi Trump. Qëndrimi i SHBA-ve synon të garantojë sigurinë e transportit ndërkombëtar të energjisë e të mbrojë interesat e vendeve që varen nga kalimi i lirë në këtë rrugë detare strategjike.
Trump nënvizoi edhe se stabiliteti në Ngushticën e Hormuzit është jetik për ekonominë globale, duke përmendur vendet që varen shumë nga kjo rrugë detare.
Kjo është një dhuratë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kinën dhe për të gjitha kombet që përdorin Ngushticën e Hormuzit në një masë të madhe. Shpresoj që ky qëndrim të vlerësohet nga vendet dhe tregjet që varen nga lundrimi i sigurt në rajon.