Hapet stërvitja “Defender Europe 2023”, ngjarja më e rëndësishme ushtarake e vitit, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Trupat dhe mjetet ushtarake amerikane, shqiptare e të vendeve partnere të NATO-s zbritën në këtë shesh, ndërsa më herët, kryeministri Rama u bëri thirrje qytetarëve për t’iu bashkuar eventit. Krahas Ramës, në sheshin “Nënë Tereza” ishin dhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ushtarakë të lartë e ambasadorja amerikane, Yuri Kim.
Stërvitja më e madhe e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Europë përfshin 24 mijë ushtarakë nga vendet aleate dhe partnerët. Ajo zgjat deri më 23 qershor dhe në fokus është ndërtimi i gatishmërisë mes ushtrive të vendeve partnere dhe Aleancës Veri-Atlantike. Rreth 7 mijë trupa amerikane dhe 17 mijë të tjera nga 26 shtete marrin pjesë në stërvitjen që shtrihet në 10 vende europiane.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj:
Shqipëria është e përkushtuar në misionin si faktor stabilizues në Ballkan dhe eksportuese e sigurisë në rajon e më gjerë. Padyshim, meritat i takojnë secilit prej burrave dhe grave në uniformë që shërbejnë në Forcat tona të Armatosura e nderojnë dhe lartësojnë çdo ditë flamurin e Shqipërisë.
Çdo investim më shumë drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse është një investim më shumë drejt stabilitetit. Eshtë një investim për të garantuar një të ardhme më të paqtë të brezave të rinj, të cilët nuk duhet të përballen me pasojat shkatërruese që sjellin konfliktet.
Në ceremoninë e hapjes së “Defender Europe 2023”, kryeministri Rama tha se sot Shqipëria është më lart se kurrë në nivelin e respektit ndërkombëtar.
Për herë të dytë, kjo stërvitje vë në pah përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve tona ushtarake, falë dhe mbështetjes së aleatëve tanë amerikanë e të tjerë, të vendeve të NATO-s. Shqipëria nuk ka qenë kurrë më lart, në nivelin e respektit ndërkombëtar. Sot është ulur në KS të Kombeve të Bashkuara si bashkëpenëmbajtëse për çështjen e Ukrainës. Kjo është përgjegjësi e jashtëzakonshme, që vë në duke çfarë pjekurie dhe zhvillimi ka arritur vendi ynë.
Së shpejti, Aeroporti i Kuçovës do të jetë në funksionim si një bazë e re operacionale e NATO-s, ndërsa kryeministri shpreson se edhe me Portin e ri të Durrësit që do të funksionojë si një tjetër bazë operacionale e NATO-s për forcat detare, të shkruhet një faqe e re në historinë e vendit.
Në fjalën përshëndetëse, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi falënderoi aleatët e Shqipërisë. Peleshi tha se synimi i kësaj stërvitjeje është të tregojë se vendi ynë mund të përballojë çdo sfidë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Nga sheshi “Nënë Tereza”, ambasadorja amerikane, Yuri Kim citoi Skënderbeun:
SHBA-të dhe NATO janë më të bashkuar se kurrë. Skënderbeu, Heroi Kombëtar, por dhe heroi im vetjak, tha: Bashkimi bën fuqinë! Partneritetet tona ndërkombëtare janë më të rëndësishme se kurrë. “Defender 23” do na tregojë ne dhe botës, se së bashku mund të kryejmë çdo mision. Së bashku me Shqipërinë, ne do bëjmë një histori më të mirë dhe të re.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji deklaroi se kjo stërvitje tregon vëmendjen e NATO-s, për të qenë bashkë përballë sfidave.
Gjenerali amerikan Michael D.Wickman ka përshëndetur angazhimin e vendit tonë në fushën e sigurisë. Ai tha se këto mundësi dhe partneriteti i Shqipërisë me Amerikën janë të shkëlqyera për të promovuar paqen.